Tre deputetë më shumë në Parlamentin e Shqipërisë i cili shkon në total në 115 deputetë. Dy të dalë nga lista shumë emërore e Partisë Demokratike dhe një nga ajo e LSI. Kandidati Indrit Hoxha i demokratëve, zgjodhi të refuzojë mandatin personalisht.
Edhe këtë të enjte, Parlamenti nisi me leximin e betimit që deputetët e rinj duhet të bëjnë përpara marrjes së mandatit. Por jo gjithçka rrodhi vaj për kreun e Kuvendit, i cili gjeti veten në fjalimin e papritur të kandidatit Indrit Hoxha.
Indrit Hoxha: “Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndërmarr sot këtë akt politik në emër të babait tim të ndjerë Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci. E ndërmarr ketë akt politik në shenjë revolte dhe neverie kundër krimit të rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe sidomos ato që im atë me la trashëgimi. Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale ne pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ka kapur drejtësinë. Refuzoj të marr mandatin në Parlamentin ilegjitim që e drejton urdhëruesi i vrasësve të Arben Brocit dhe shokëve të tij në masakrën e 2 Prillit. Refuzoj të bëhem pjesë e një Parlamenti ilegjitim ku ulen hetues dhe prokurore te diktaturës të cilët kanë torturuar dhe vrarë të rinj shqiptarë. Refuzoj të marr mandatin në një parlament ilegjitim ku në karrigen e kryeministrit ulet i biri i njeriut që firmosi për varjen e poetit Havzi Nela. Refuzoj të bëhem pjesë e një parlamenti ilegjitim ku ndodhen urdhëruesit e vrasjes se tribunit të demokracisë Azem Hajdari. Ky nuk është Parlament, por galeri e krimit. Fundi i kësaj farse kriminale është shume i afërt. Unë refuzoj të bëj betimin dhe të marr mandatin sepse ai mandat i takon popullit dhe jo kriminelëve, hajdutëve dhe delenxhinjve që ndodhen sot këtu. Rroftë Shqipëria! Rroftë Demokracia! Zoti i bekoftë shqiptarët”.
Gramoz Ruçi: “Zoti Indrit këtë mund ta bëje deklaratë për shtyp jashtë seancës dhe në sallë mund të mos vije. Ti me vullnetin tënd ke bërë kërkesën dhe kë kërkuar mandatin e deputetit. Është e drejta jote kushtetuese të mos bësh betimin. Rrugë të mbarë dhe suksese në jetë!”
Në dalje, Indrit Hoxha iu bashkua protestës së forumeve rinore, që e prisnin jashtë godniës parlamentare. Aty ri-konfirmoi qëndrimin e tij./abcnews.al