Nga Erblina Mile
Dhurimet apo trashëgimia e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme e cila do të kalohet nga prindi te fëmija apo anasjelltas nuk do të taksohen. Përjashtimi nga tatimi bëhet nëse trashëgimtari ose përfituesi i dhuratës provon që sendet e dhuruara ose të trashëguara janë tatuar paraprakisht ose janë raportuar nga i vdekuri ose dhuruesi.
Projektligji i ri i Tatimit mbi të ardhurat parashikon futjen në taksim për disa kategori të reja të ardhuarsh. Në këtë mënyrë për herë të parë në këtë draft është parashikuar përfshirja në taksim e dhuratave në të holla dhe e trashëgimisë në të holla me normë tatimi 15%. Me termin “dhurata”, nënkuptohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme ose paratë e fituara pa ndonjë kompensim në këmbim.
Qeveria ka parashikuar që të tatojë me 15% edhe të ardhurat nga lojërat e fatit. Në draft përcaktohet se “të ardhura nga lojërat e fatit”, nënkupton të ardhurat e fituara nga kategoritë e lojërave të fatit.
Sipas draftit në këtë tatim parashikohet të përfshihen rezidentë të cilët marrin një dhuratë ose trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri ose jashtë saj, ose marrin fitime nga lojërat e fatit të zhvilluara në Shqipëri ose jashtë saj si dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë. /abcnews.al/