Temperaturë, ethe, kollë, viroza që po prek masivisht qytetarët

schedule16:28 - 22 Qershor, 2022

schedule 16:28 - 22 Qershor, 2022

Gjatë stinës së verës, virozat që qarkullojnë më së shumti janë ato të traktit gastrointensinal. Mirëpo në vendin tonë përhapjen më të madhe e kanë virozat që prekin rrugë. Mjekja e familjes në Qendrën shëndetësore 10 në Tiranë Xhentiljana Nezaj, thotë se virozat që  vitin e kaluar kanë qarkulluar gjatë periudhës mars-prill, tashmë po qarkullojnë në qershor.

“Ditët e fundit kemi një rritje të pacientëve që paraqiten me viroza të stinës. këtu ndikojnë dhe kushtet atmosferike, ndryshimet e temperaturave etj me radhë. Pacientët paraqesin simptoma të ndryshme, por kryesisht janë ato që prekin traktin e sipërm respirator. Ankohen për dhimbje fyti, shpesh herë edhe për dhimbje veshi, dhimbje koke, temperaturë subfebrile, deri dhe në febrile. Në krahasim me vitin e kaluar, është vënë re që situata virale, apo rritja e rasteve të pacientëve që paraqiten me viroza të stinës, është bërë pak më e vonuar. Pra këtë situatë vitin e kaluar e kemi pasur në periudhën mars- prill, ndërsa këtë vit e shikojmë pak më me vonesë.”

Rreth 20 pacientë paraqiten çdo ditë tek mjeku i familjes me simptoma të tilla. Mjekja thotë se më të alarmuar janë pacientët të cilët e kanë kaluar Covid në formë të rëndë.

“Unë si mjeke në javën e shkuar kam pasur 10-20 vizita në ditë që paraqiten me shqetësime që lidhen me virozat e stinës. por ajo që ne na paraqiten më shpesh janë mosha e tretë, dhe sidomos pacientët kronikë. Kemi vënë re alarmin dhe tek personat që e kanë kaluar rëndë Covid. Ata paraqiten tek ne që me shenjat e para duke patur frikë nëse kemi ndonjë mbivendosje.”

Në Qendrat Shëndetësore në kryeqytet, me rritjen e virozave të stinës është rritur edhe kërkesa për bërjen e tamponëve të Covid. Megjithatë rastet pozitive janë 5 apo 6 në 24 orë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!