EKSKLUZIVE/ Vrasja e Pjerin Xhuvanit, zgjerohet “laku” i të përfshirëve, Gazment Bardhi pritet të thirret në Prokurori

schedule11:20 - 20 Qershor, 2022

schedule 11:20 - 20 Qershor, 2022

ELBASAN – Burime ekskluzive për ABC bëjnë të ditur, se në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, janë zgjeruar hetimet.

ABC mëson se dyshja e prokurorëve Ritvan Sukaj dhe Platin Aliçka, kanë zgjeruar rrethin e personave të cilët dyshohet të kenë urdhëruar badigardët apo shtyrë ato drejt ekzekutimit të mjekut Pjerin Xhuvani, ngjarje kjo e ndodhur në lagjen “5 maji” në Elbasan. Krimi i rëndë erdhi pas një debati mbi pretendimet që kishte grupi i badigardëve  të PD-së, për disa karta identiteti, për të cilat Prokuroria e Elbasanit dhe hetimet tregojnë se nuk kanë ekzistuar. Në automjetin e dyshuar janë gjetur vetëm lista patronazhistëve që prokuroria i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në ditët në vijim pritet që Prokuroria të çojë një flet thirrje edhe për Gazmend Bardhin, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por edhe si kryesuesi i listës së PD në Elbasan, ku ka bindje se nga ajo seli është dhënë urdhër për të qëlluar ndaj Pjerin Xhivanit.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike në këtë qytet, Gazmend Bardhi. Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

/abcnews.al/