Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen plenare të datës 10 dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore” miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Drafti final pritet që të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Por avokatët janë kundër kësaj harte gjyqësore dhe kanë bojkotuar seancat gjyqësore për 4 ditë.
Avokati Maksim Haxhia, i ftuar në emisionin “Log.” në Abc, me gazetarin Endri Xhafo u shpreh se Dhoma e Avokatëve do presë vendimin e qeverisë për të vepruar. Sipas tij, nëse qeveria e miraton hartën, do ketë përshkallëzim të qëndrimit të tyre.
Haxhia: Dhoma e avokatëve vendosi për 4 ditë të bojkotonte çështjet gjyqësore. Ky komitet, me të njëjtën përbërje, do shprehet nesër për ecurinë. Dua të bëj me dije se për sa kohë nuk është miratuar harta gjyqësore, do të thotë që jemi akoma në hartën ekzistuese. Ne do presim dhe jemi të detyruar të presim vendimmarrjen nga ministria e Drejtësisë. Manja bëri mirë që nuk erdhi në këtë emision sepse nuk mund t’i paraprijë vendimit. Roli i qeverisë është fatura financiare. Nuk mund të dalë ministri përpara dhe të para-shprehë vendimin se si do mbajë qëndrim qeveria për këtë hartë gjyqësore. Do jetë Komiteti që do vendosë për ecurinë e mëtejshme. Personalisht jam i mendimit që ne duhet të presim vendimin e qeverisë dhe gjithë këtë luftë që bëmë, e bëmë që t’i themi KLGJ që mos e merr këtë vendim. Nuk është kjo harta e duhur. Këshilli e mori. Tani nëpërmjet qëndrimit tonë ne duam t’i themi qeverisë mos e mirato. Nëse qeveria e miraton, komuniteti i avokatëve do ta përshkallëzojë qëndrimin e tij deri në abandonim.
Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej. Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16./abcneës.al/