Familja e Admir Muratajt kallëzon penalisht Policinë e Shtetit

schedule14:24 - 2 Maj, 2019

schedule 14:24 - 2 Maj, 2019

Ndërkohë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është regjistruar një tjetër padi lidhur me këtë çështje. Familja Murataj akuzon Policinë e Shtetit se ndaj Admirit ka qëlluar enkas për ta vrarë dhe jo në kushtet e vetëmbrojtjes.

Familja e Admir Muratajt kallëzon penalisht  Policinë e Shtetit, për vrasjen e tij më 9 Prill në Rinas. Padia e ngritur nga vajza e viktimës, u dorëzua paraditen e të enjtes në Prokurorin e Krimeve të Rënda nga avokati Arbër Hoxhaj. Familja Murataj pretendon se viktima është qëlluar për t’u vrarë dhe se efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nuk kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Këtë të enjte në Gjykatën e Krimeve të Rënda ishte parashikuar edhe seanca për pushimin e hetimeve ndaj Muratajt për grabitjen e blindave me para në rrugën Kashar-Rinas 2 vjet më parë.

Por kjo seancë u shty për në datën 14 Maj, pasi në gjykatë nuk është paraqitur akti i vdekjes së Admir Muratajt.

Prokuroria kërkoi dy javë kohë që të marrë akt ekspertimet dhe certifikaten e vdekjes së viktimës.

Murataj u vra nga forcat e ndërhyrjes së Shpejtë pasditen e 9 Prillit, gjatë grabitjes së 6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit./ABC News Albania 24/7