Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke folur para gazetarëve, pas përfundimit të Samitit në Berlin, tha se nuk ka asnjë lëvizje të re nga ky samit. Vuçiç konfirmoi se një takim tjetër i ngjashëm do të mbahet më 1 Korrik, më ftesë të presidentit francez Macron.
“Fjala e fundit e samitit të Berlinit ishte që të vazhdojnë bisedimet në një format të ngushtë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për të vazhduar dialogun”, ka deklaruar Vuçiç.
Ai ka shtuar se gjatë diskutimeve të djeshme nuk ka pasur asgjë përfundimtare dhe nuk është votuar për asgjë. Presidenti serb falënderoi liderët europianë Merkel dhe Macron, duke thënë se ishin shumë racionale, seriozë dhe të përgjegjshëm.
Vuçiç sqaroi se Serbia nuk kishte kushte në këtë takim për rifillimin e dialogut me Kosovën, përveç heqjes së taksës 100% për mallrat serbe, të vendosur që në Nëntor 2018 nga qeveria e Prishtinës./ABC News Albania

