Një krim në familje ndodhi në Memaliaj, ku burri ka vrarë gruan e tij, nënë e katër fëmijëve. Policia arrestoi autorin, i cili pranoi krimin pas disa orësh.
Fqinjët dhe kryeplaku i fshatit e gjetën pranë trupit të gruas së tij të vdekur. Fillimisht u tha të mos e preknin se e kishin vrarë. Disa orë më pas Skënder Hoxha pranoi në polici se ishte ai autori i krimit ndaj Antoneta Hoxhës, nënës se katër fëmijëve.
“Kur erdha unë në orën 4 dhe vajta brenda ishte gjaku i ngrirë. Ishte çarë këtu te balli me sende të forta, se me çfarë nuk di“, tha kryeplaku.
Ngjarja ndodhi orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte në Vagalat të Memaliajt. Besohet se midis burrit dhe gruas pati një sherr. Kur situata është përkeqësuar dhe gruaja ishte me shpinë, 63-vjeçari e goditi me levë në kokë. Nuk dihet sa herë, por trupi i saj ishte gjakosur i tëri.
“Na tha Neta është rëndë. E pyetem çfarë ka që është rëndë? Por na tha eja lart sa më shpejt”, tha një e afërt e familjes.
Askush nuk di të tregojë çfarë ka ndodhur dhe pse çifti Hoxha ishte në konflikt. Burrë e grua më parë jetonin në kryeqytet dhe vetëm para pak kohe ishin rikthyer në fshat.
“Ata me njëri-tjetrin ishin shumë mirë”, u shpreh një tjetër e afërme.
Policia arrestoi 63-vjeçarin Skënder Hoxha dhe çështja i kaloi për hetim Krimeve të Rënda. Për zbardhjen e saj të plotë janë pyetur familjarë, komshinj dhe fëmijët./abcnews.al