Një nga veprat më madhështore të antikitetit, një arterie që për më shumë se 2 mijë vjet ka lidhur Perëndimin me Lindjen, sot po përballet me një rrezik të pazakontë: ndërhyrjet e paligjshme dhe gërmimet e kërkuesve të thesareve. Në segmentin Qukës–Dardhë, në Librazhd, gjurmët e Rrugës Egnatia janë dëmtuar rëndë nga ndërhyrje me mjete të tonazhit të rëndë, ndërsa në një tjetër pikë është konstatuar edhe dëmtim i një shpelle.
Denoncimi vjen nga Adriatik Kurti, ideues i guidës “Via Egnatia”, i cili ka evidentuar dëmtime në disa pika të kësaj rruge monumentale. Sipas tij, ky është rasti i katërt që banorët denoncojnë gërmime të dyshuara të paligjshme në zonë. Dyshimet lidhen me legjendat për thesare të fshehura, monedha ari dhe objekte me vlerë historike, që prej vitesh ushqejnë imagjinatën e banorëve dhe kërkuesve të pasurive të nëndheshme.
Por ndërsa disa kërkojnë thesare, rrezikojnë të zhdukin një pasuri që është vetë një thesar. Rruga Egnatia nuk është thjesht një shteg i vjetër me gurë. Ajo është një dëshmi e jashtëzakonshme e inxhinierisë, strategjisë ushtarake, tregtisë dhe komunikimit në botën antike.
E ndërtuar nga romakët në shekullin II para Krishtit, rreth viteve 146–120 para erës sonë, ajo mori emrin e prokonsullit Gnaeus Egnatius. Dy degët e saj kryesore niseshin nga Dyrrahu dhe Apolonia, bashkoheshin në luginën e Shkumbinit dhe vazhdonin drejt Ohrit, Selanikut e deri në Bizant, Kostandinopojën e sotme. Një itinerar prej rreth 1120 kilometrash që për shekuj me radhë ishte ura lidhëse mes dy botëve.
Por çfarë fshihet ende përgjatë kësaj rruge? Në Xhyrë të Librazhdit, banorët tregojnë për një thesar monedhash ari, që thuhet se është zbuluar pranë një varri të fshehur mes tre varreve të rreme. Përkrenare, heshta dhe objekte të tjera të gjetura ndër vite kanë shtuar misterin dhe bindjen se në këto anë mund të ketë ende dëshmi të pazbuluara të historisë.
Një tjetër mister janë gurët masivë të skalitur përgjatë trasese, si dhe një mur i vjetër, për të cilin arkeologët mendojnë se mund të ketë qenë pjesë e një ndërtese të madhe, ndoshta një stacion përgjatë rrugës. Gjurmët e kalldrëmeve të periudhës osmane, urat e vjetra dhe tunelet e Babjes dëshmojnë se kjo arterie ka vijuar të përdoret e të riparohet edhe shumë shekuj pas ndërtimit të saj.
Në një guidë mes historisë, legjendave dhe mistereve, Adriatik Kurti na çon në gjurmët e një rruge që ka parë perandori, ushtri, tregtarë dhe udhëtarë. Një udhëtim nëpër kohë, që sot na përball me një pyetje të fortë: a do të arrijmë ta ruajmë këtë trashëgimi, apo etja për thesare do të na bëjë të humbasim përgjithmonë thesarin më të madh që kemi – historinë tonë?/abcnews.al



