Shehi: Berisha të mbajë përgjegjësi për paktin në 2008-n, pse duhet të na e falte Rama Presidentin

schedule20:21 - 7 Qershor, 2022

schedule 20:21 - 7 Qershor, 2022

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i përfolur pak ditë më parë si një prej emrave që opozita mund të propozonte si kandidat për President, ka folur në emisionin “Frontline” lidhur me procesin e dështuar të negociatave mazhorancë-opozitë për Kreun e Shtetit.

Shehi tha se opozita përveçse e ndarë në dy grupe nuk ka qenë aspak e qartë në ofertën që do t’i bënte shqiptarëve, pra përzgjedhjen e një emri serioz që do ta përfaqësonte atë si front përballë zgjedhjes së Edi Ramës.

“Procesi ka mbaruar, dhe po i çoj sinjal kolegëve të mi opozitarë se ku kanë gabuar. Disa nga marria dhe budallallëku dhe disa që mendojnë se janë bërë protagonistë duke dalë në media. Protagonizmi bosh.  Ato zotërinjtë e opozitës duhet ti merrnin këto burra e disa të tjerë dhe të nxirrnin një që t’ia ofronin palës tjetër dhe shqiptarëve. Këta hynë në një marrëdhënie absurde. Këta duhet të prodhonin presidentin e vetë. Ne hymë në një betejë për të nxjerrë personazhet e opozitës shqiptare. Opozita e humbi këtë nga budalliqet e veta. Kishte tre raunde për të nxjerrë jo një por disa kandidatë se të gjithë mendonin se do t’ia jepte pala tjetër. Po pse t’ia jepte”, tha Shehi.

Në vijim, deputeti i opozitës kritikoi ish-kryeministrin Sali Berisha për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, pasi sipas tij fakti që kompetencat e Presidentit janë bërë thuajse të papërfillshme janë burim i asaj marrëveshje me Ramën.

“Shume nga defektet e politikës që kemi ne në Shqipëri janë derivat i marrëveshjes famëkeqe të 2008. Është bërë praktikisht me kancelar Shqipëria, s’ka më president dhe kryeministër se është bërë partia, një parti që e nxjerr atë. Thotë Berisha se ne dhe Bjellorusia që kemi udhëheqës monist, por ai është protagonist kryesor i kësaj. Ajo shkatërroi institucionet dhe e dyta u bë një ligj zgjedhor që ka prodhuar një shkretëtirë politike. Që prej asaj kohe nuk ka dalë një forcë e re politike. Ky ligj dhe ajo kushtetuta e asaj kohe ka prodhuar këtë klime të sëmurë politike”, deklaroi Shehu.

Sipas Shehut “tani mund të ankohen të gjithë, por “ne duhet të kthehemi prapa dhe të bëjmë analizë”.

“Ata janë bashkë por s’vlen për Shqipërinë kjo punë. Se ata e kanë bërë që të jenë vetëm ata. S’ka më demokraci, kontrollon një personazh i vetëm. Ti gërthet sa të duash kundër vjedhjes dhe korrupsionit siç thotë Berisha. Të gjitha këto i thotë mirë Berisha, por nuk thotë një gjë që është protagonist i vetë këtyre gabimeve”, shtoi ai.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!