Një gjykatë amerikane dënoi me një vit e gjysmë burg një 30-vjeçare të identifikuar si agjente ruse, që përpiqej të infiltrohej nga strukturat politike të Shteteve të Bashkuara.
Një agjente ruse që u përpoq të depërtonte në grupet politike amerikane është dënuar me 18 muaj burg. Sipas mediave amerikane, Maria Butina u përpoq të anëtarësohej në Shoqatën Kombëtare të Armëve, në përpjekje që të ndryshonte politikat e grupit në favor të Moskës.
Pasi u vetëdeklarua e pafajshme, më vonë ajo ndryshoi qëndrimin e saj duke pranuar se po punonte për një komplot. 30-vjeçarja ndodhet në burg që prej korrikut të vitit të kaluar dhe do të përballet me deportim menjëherë pasi të ketë përfunduar dënimin. Gjatë seancës, Butina ia kushtoi fjalimin e saj prindërve, për të cilët tha se i ka dëmtuar moralisht dhe se po vuajnë për gjithçka që po ndodh.
“Shkatërrova edhe jetën time. Unë nuk erdha në Shtetet e Bashkuara në bazë të urdhrave, por me shpresë dhe tani më mbetet vetëm burgu”, tha agjentja.
Pavarësisht pretendimeve të prokurorit se ajo ka dëmtuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Butina tha se ajo nuk kishte ndërmend të dëmtonte qytetarët amerikanë. Dënimi i saj erdhi të njëjtën ditë kur presidenti Donald Trump udhëtoi në Indianapolis, për të folur në një event të Shoqatës Kombëtare të Armëve./abcnews.al