Tre raundet e para për të pasur një President konsensual dështuan, kështu që maxhoranca do ta zgjedhë e vetme kreun e ri të shtetit. Nesër do të mblidhet kryesia e PS-së, ndërsa të shtunën do të mbahet raundi i katërt. Por a u sabotua procesi për të pasur një President konsensual?
Deputet i PS-së, Arben Pëllumbi, i ftuar në emisionin “Log” në Abc, me gazetarin Endri Xhafo u shpreh se nuk ka si të sabotohet një proces i cili as nuk kishte filluar.
Pëllumbi: Ne nxorëm disa emra për t’i vënë në dispozicion të negociatorëve dhe t’i kishim për bisedime. Në momentin kur filluan të na etiketojnë sikur nuk duam, ne e ndaluam këtë proces. Më pas propozuam që në raundin e dytë dhe të tretë të propozonte vetëm opozita. Ne do diskutonim mbi emrat që do na propozoheshin nga opozita. Problemi nuk ngeli te PS, por te fakti që nga opozita nuk na erdhi asnjë propozim. Opozita nuk u mor vesh brenda vetes, nuk arrinin dot të gjenin një konsensus brenda tyre se si duhet të vepronin. Po ta shikojmë në këtë lloj konteksti procesi nuk filloi dhe për sa kohë nuk filloi nuk ka si të sabotohet. Nuk pati proces.
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studio akuzoi maxhorancën se që në fillim të procesit tentoi të kishte përballë një opozitë të përçarë. Pavarësisht dështimit të tre raundeve të para, në gjykimin e zotit Mediu opozita ende duhet të çojë kandidaturat e saj të shtunën.
Mediu: PS që në fillim në mënyrë të qartë tentoi që opozita të ishte e ndarë me 3 grupe parlamentare. Të gjithë deputetët e opozitës i kishin mundësit të zgjidhnin 3 përfaqësues konsensualë. Një opozitë e përçarë nuk mund të ndërtonte një raport të drejtë në këtë proces. Hapi i parë duhet të ishte ajo që propozuam, një përfaqësi opozitare që ishte plotësisht e mundshme. Hapi i dytë ishte propozimi, të gjitha palët kishin të drejtë për të propozuar. Opozita nuk ka mekanizëm në dorë për të imponuar maxhorancën, prandaj opozita duhet të shkojë me kandidaturë. Edhe të shtunën duhet të shkojë me kandidatura sepse i ka firmat e mjaftueshme. Nëse do vazhdojë me idenë siç po ecim deri tani do justifikojë atë që tha Edi Rama. Pra morëm pjesë në një proces të verbër që justifikon atë që tha Rama, që unë po zgjedh sepse opozita nuk solli asnjë kandidaturë. Është përgjegjësi kushtetuese ofrimi i kandidaturave.
Pëllumbi: Çfarëdo që të bënte pozita gjithsesi do të etiketohej. Kur u dogj raundi i parë nga Alibeaj u depozitua një marrëveshje. Ramë dakord që një pjesë të asaj marrëveshjeje ta pranonim dhe ramë dakord që mos propozonim emra në dy raunde.
Mediu: Maxhoranca i ka lënë opozitës të propozojë. Jo nuk i’a ka lënë maxhoranca, i’a ka dhënë Kushtetua. Jam dakord që opozita duhet të kishte bërë punën e vet. Maxhoranca po bën lojën e vet dhe në mënyrë foshnjarake dhe në mënyrë qorre opozita ka ndjekur lojën e saj. Ne si opozitë në tre raundet kur kishim efektet tona të mundshme të ndikonim e lamë.
Por cila është loja?
Mediu: Loja ishte që opozita të ishte e përçarë, sepse kur është e përçarë është më e lehtë të bësh atë që do, Edi Rama e deklaroi që në fillim që donte një President të zgjedhur nga maxhoranca.
Gazetari Skënder Minxhozi, i ftuar në studio kishte një pyetje për kreun e PR-së lidhur me depozitimin e kandidaturave ditën e shtunë. Ai shtron pyetjen se nga cila opozitë duhet të vijë propozimi, duke qenë se ka 3 ndarje brenda kahut opozitar.
Minxhozi: Deklaruat se opozita duhet të paraqesë kandidaturën të shtunën. Cila opozitë? Sepse ka përçarje, ka të paktën 3 frymëzime aty brenda.
Mediu: Opozita janë të gjithë deputetët që kanë dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. E gjithë opozita ka të drejtë të propozojë. Nëse ne po përjashtojmë veten tonë, çfarë po kërkojmë nga PS? /abcnews.al/