Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet. I ftuar në emisionin “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, ai theksoi se teatri nuk është i restaurueshëm dhe njerëzit duan të kenë një të tillë cilësor.
“Çdo gjë që mund të restaurohet do restaurohet. Tallashi është i parestaurueshëm kështu që teatri i ri do të ndërtohet. Jam i lumtur sot që 98 nga 100 aktorë janë dakord. Dy për hudhër mirë që nuk janë. Ka njerëz që duan vjetërsira, kemi pasur gjyshe që mbanin rraqe kot në shtëpi dhe ti do ta respektosh. Çështja është që në dallim në një shtëpi private që ti mban ça të duash dhe në një qytet ku ti duhet t’i japësh njerëzve një teatër cilësor do duhet të marrësh disa vendime dhe nuk mban dot rraqe që nuk i përdor dot”, tha Veliaj.
Ndërkohë për sa i përket lejeve të dhëna nga ai, Veliaj theksoi se janë punë publike.
“80 mijë metra katrorë është vetëm Bulevardi i Ri. Nga të dhënat e INSTAT-it ka më shumë metra katrorë sepse nw kwto 4 vjet janë bërë më shumë punë publike. 67 mijë metra katrore janë vetëm kopshte dhe çerdhe. 100 mijë metra katrore është leja për sheshin Skënderbej. Gjysma e lejeve janë në fakt punë publike, ndërkohë që në administratën e shkuar ndërtimet ishin 100 për qind punë private, se nuk kishte punë publike”, tha Veliaj./abcnews.al