BE nuk arrin marrëveshje për ndalimin e naftës ruse

schedule21:49 - 30 Maj, 2022

schedule 21:49 - 30 Maj, 2022

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën as sot të arrijnë marrëveshje për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa takimet për këtë çështje pritet të vazhdojnë dhe nesër në kuadër të një takimi të nivelit të lartë në Bruksel. Blloku evropian nuk ka arritur të unifikojë qëndrimin pas muajsh bisedime lidhur me embargon e naftës ruse.

Bashkimi Evropian nuk arriti të bjerë dakord për ndalimin e naftës ruse në takimin që po zhvillohet sot dhe nesër në Bruksel, thanë udhëheqësit e vendeve anëtare të bllokut, ndërsa shtuan se diskutimet për këtë çështje ende nuk kanë mbaruar dhe se shpresojnë për arritjen e një marrëveshjeje më vonë.

Udhëheqësit pritet të bien dakord në parim për një masë, por të gjitha hollësitë dhe vendimet e vështira janë lënë për më vonë.

Ende nuk jemi në atë pikë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha se është më realiste të pritet arritja e një marrëveshjeje muajin e ardhshëm.

Nuk mendoj se do të arrijmë një marrëveshje sot. Do të përpiqemi të arrijmë marrëveshje deri në samitin e qershorit, Ky është skenari më realist deri tani”, tha zonja Kallas.

Samiti i radhës është parashikuar për 23 dhe 24 qershor.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se marrëveshja e shumëkërkuar për paketën e gjashtë të sanksioneve po afrohet, por pa dhënë hollësi tjera.

Disa udhëheqës shprehën pakënaqësinë që nuk është arritur një konsensus.

Po zhytemi në detaje dhe po harrojmë gjënë më të rëndësishme”, tha kryeministri letonez Krisanis Karins.

Janë thjesht para, ukrainasit po paguajnë me jetët e tyre”, tha ai ndërsa shtoi se “Ne mund dhe duhet t’i mbështesim ata, qoftë edhe për interesat tona, sepse vetëm pasi të mposhtet Rusia, mund të ndjehemi të sigurt në Evropë”.

Projektmarrëveshja, një dokument që mund të rishqyrtohet, parasheh një paketë të gjashtë sanksionesh të Bashkimit Evropian për ndalim të importeve të naftës përmes detit.

Por Hungaria së bashku me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë, varen nga nafta ruse dhe thonë se nuk mund ta përballojnë një masë të tillë. Hungaria siguron mbi 60 për qind të naftës dhe 85 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia. Kryeministri hungarez Viktor Orban vazhdon të kundërshtojë embargon e naftës ruse.

Ai tha se vendit të tij i duhet garanci se mund të furnizohet me naftë përmes detit, ndërsa dërgesat ruse të naftës përmes tubacionit Druzhba do të ndaleshin.

Në këtë moment nuk ka asnjë kompromis. Ne jemi të gatshëm të mbështesim paketën, nëse ka një zgjidhje për furnizimin me energji të Hungarisë, të cilën nuk e kemi deri tani”, tha zoti Oran.

Udhëheqësit nuk do të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare për këtë çështje tani, por në vend të kësaj, ata do t’u kërkojnë doplomatëve dhe ministrave të gjejnë një zgjidhje që do të siguronte gjtihashtu një konkurrencë të ndershme mes atyre që vazhdojnë të furnizohen me naftën ruse dhe atyre që e kanë ndërprerë atë.

Kryeministri belg Alexander De Croo tha se “këto nuk janë vendime të lehta”, ndërsa shtoi se “Nuk ka asnjë dyshim se brenda ditëve dhe javëve në vijim, do të merren vendime”.

Një rezultat i pritshëm i samitit është një paketë kredish në vlerë prej 9 miliardë eurosh për qeverinë e Ukrainës. Sidoqoftë, vendimi për mënyrën se si do të grumbullohen këto para pritet të merret më vonë. Deri tani BE ka ndërmarrë pesë raunde sanksionesh ndaj Rusisë, si kundërpërgjigje për sulmin e saj kundër Ukrainës.

Blloku ka vënë në shënjestër me sanksionet mbi 1 mijë njerëz, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, zyrtarë të lartë të qeverisë, oligarkë pro-Kremlinit, banka, sektorin e qymyrit dhe të tjerë./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!