Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë nuk do të jetë konsensual. Raundi i tretë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit me shumicë të cilësuar dështoi, pasi palët politike nuk depozituan asnjë kandidaturë.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi I ftuar në “Radari Informativ” në Abc me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se kjo ishte e pritshme pasi sipas tij, kryeministri Rama e kishte shprehur që në fillim dëshirën për të pasur një President që nuk vinte nga opozita.
Boçi: Ishte dëshira e Ramës që u realizua me djegien e raundit të tretë. Rama realizoi një teatër tallës me një pjesë të opozitës dhe ja ku është përfundimi. Nuk ka asnjë emër të propozuar nga opozita. Nuk ka negociata. Ram që në fillim, Balla vetë ishin shprehur se nuk donin një kandidat të propozuar nga opozita pasi kishin sjellë në vëmendje shembullin e zotit Meta.
Ai e cilësoi gjithë procesin e diskutimeve një lojë mes kreut të Grupit të PS, Taulant Balla dhe atij të PD, Enkelejd Alibeaj. Maxhoranca shpesh e ka cilësuar figurën e Presidentit pa pushtet dhe kompetenca, por për Boçin ai është një zë i fortë. Kjo është arsyeja, sipas demokratit, që Rama kërkon ta zgjedhë Presidentin një zë të heshtur për të miratuar çdo ligj të tijin.
Boçi: Çështja ngeci mes lojës që u bë mes Ballës dhe Alibeajt dhe e mbajnë procesin në konsensus parlamentar. Normal që proceduara parlamentare nuk mund ta zëvendësojë konsensusin politik. U bë një lojë, nuk po them që ishte e përllogaritur, kishte edhe miklime nga ana e maxhorancës që krijonin një pamje të rreme. Dukej qartë se ishte lojë, ne prandaj e parashikonim sepse e shikonim, nuk kemi shtënë fall. Ne themi pse e do Rama Presidentin, nuk ka kompetenca. Presidenti në fakt është një zë i fortë. Rama duke e ditur një gjë të tillë, duke pasur dhe një përvojë jo të bukur me zotin Meta kërkon të ketë një zë të heshtur, noterizues të ligjeve që ai merr pavarësisht pasojave.
PS ka deklaruar se nuk do marrë parasysh asgjë që vjen me firmën e Berishës. Sipas Boçit kjo ndodh tani sepse ekzistojnë ende palët brenda PD, por kur demokratët të bashkohen, maxhoranca do jetë e detyruar që të respektojë institucionet e opozitës.
Boçi: Përderisa ata gjejnë palë brenda nesh, normal që niveli i deklaratave do jetë i tillë. Në momentin kur palët nuk ekzistojnë brenda PD-së, ne duhet të bëhemi. Ne duhet ta kuptojmë që përballë kemi një kundërshtar i cili dominon në pushtet dhe përdor gjithë mënyrat për ta mbajtur. Një nga format që ai përdor është mbajtja e ekzistencës së palëve brenda PD. Në momentin që s’ka palë ai është i detyruar të respektojë institucionet. Ne jemi në proces bashkimi. Në momentin që s’do jemi palë PS do ketë përballë PD.
Partia Popullore Evropiane nuk ka ftuar asnjë delegat nga Partia Demokratike në Kongresin që zhvillohet në Roterdam ku votohet Presidenti i PPE. Edhe pse u tha se Jorida Tabaku kishte të drejtë vote, në listën e siguruar nga Abc rezulton se PD ka zero vota. Për Boçin kjo është shqetësuese duke pasur parasysh raportin e PD me PPE.
Boçi: Në dijeninë time u tha që të drejtë vote kishte Tabaku, ndërsa Vokshi dhe Këlliçi nuk kishte. Çështja për të pasur votë zero është shqetësuese në raport me marrëdhënien që ka pasur PD me PPE.
Gjykata e Apelit nuk ka dhënë ende një vendim lidhur me situatën ku ndodhet PD. Kështu “vula” është ende duke u shqyrtuar dhe Gjykatës do t’i duhet të vendosë se cilin Statut do të njohë./abcnews.al/