Damien Lilard ishte lojtari më i dalluar i ndeshjeve të fundit në basketbollin amerikan. Shënoi 50 pikë ndaj Oklahomës duke siguruar kualifikimin në plej of
U sakrifikua jashtë mase, por vendosi fitoren.
Damien Lilard gjithnjë ka qenë një yll i madh i NBA-së, por asnjëherë si mbrëmjen e fundit, kur kualifikoi Portlendin për në raundin e dytë të plej ofit, dhe eleminoi Oklahomën.
U la në fushë për 45 minuta e 16 sekonda, nga 48 minuta lojë gjithsej, diçka që ndodh tepër rrallë në basketboll dhe që do të thotë raskapitje, por nuk deshi t’ia dinte, pasi ishte ndeshja e tij.
Jo më kot shënoi 50 pikë, kapi 7 topa në tabela, dhuroi 6 pasime për kosh, vodhi 3 topa e bllokoi një gjuajtje.
Realizoi po ashtu 10 gjuajtje për tri pikë, një rekord i klubit në plej of.
Portlendi fitoi 118-115 në Arenën e tij, dhe kaloi turin me rezultat të përgjithshëm 4-1 me ndeshje, e tani pret fituesin e çiftit Denver-San Antonio.
Lilard nuk është se nuk bëri gabime, ai nuk qe i saktë në gati gjysmën e gjuajtjeve, por kontributi ishte gjithsesi shumë I madh.
Përballë dy yjeve tepër të mëdhenj si Rasëll Uestbruk e Pol Xhorxh, ia doli të bënte të vetën, pavarësisht nga mbrojtja e fortë e Oklahomës.
Uestbruk pati një tripëll dabëll, me 29 pikë, 11 topa në tabela e 11 pasime për kosh, ndërsa Xhorxh realizoi plot 36 pikë, por ata nuk mundën të arrinin nivelin e Lilardit.
Po ashtu, nuk patën mbështetje nga lojtarët e tjerë, ndryshe nga vendasit, ku u dalluan edhe Harkles, Kanter, Mekkallëm apo Seth Kërri.
Drama arriti kulmin dhe u vendos në sekondat e fundit, kur Lilard shënoi koshin fitues nga më shumë se 11 metra larg./abcnews.al