Presidentja e Kosovës përmes një postimi të ndjerë në Facebook, ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e ish-Presidentit Nishani në moshën 56-vjeçare.
Osmani shkruan se Nishani përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur deri në frymën e fundit.
Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.
Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë./abcnews.al/