Gjatë ndërtimit të një rrjeti metroje nën qytetin grek të Selanikut është zbuluar një thesar i jashtëzakonshëm. Media greke “greekcitytimes.com” shkruan se gjatë punimeve janë gjetur objekte të lashta, si kurora ari, unaza dhe statuja të perëndeshës Afërditë.
Sipas njoftimeve të ndryshme të mediave, procesi i punimeve në metro është vonuar për shkak të numrit të madh të objekteve të gjetura në rrugët e qytetit të Greqisë.
Arkeologët kanë zbuluar më shumë se 300,000 artefakte, nga monedha, stoli, statujë mermeri, amfora, llampa vaji dhe vazo parfumi. Objektet janë gjetur në atë që do të ishte qendra e lulëzuar tregtare e qytetit të lashtë, që ishte rajoni i dytë më i rëndësishëm në Perandorinë Bizantine pas Kostandinopojës.
Më shumë se 5.000 varre u zbuluan, disa prej tyre përmbajnë kurora të arta. “Gërmimet janë projekti më i madh arkeologjik i viteve të fundit në Greqi”, tha Yannis Mylopoulos, kryetari i Attiko Metro, kompania që ndërtoi rrjetin, për The Telegraph.
“Cilësia dhe sasia e gjetjeve është me të vërtetë mbresëlënëse. Ata zbulojnë vazhdimësinë e historisë së Selanikut dhe të Maqedonisë. Janë gjetur edhe disa statuja të perëndeshës Afërditë që datojnë që nga shekulli i IV deri në shekullin e X-të, dhe tregojnë se Selaniku shërbeu si një bastion i fuqishëm i feve të vjetra deri në antikitetin e vonë”, – vuri në dukje Prof. Adam-Veleni.
Stacioni i Hagia Sophia, i quajtur sipas kishës bizantine të qytetit, gjithashtu do të shfaqë një ekspozitë të përhershme të zbulimeve arkeologjike, që janë gjetur gjatë punimeve. Pjesa tjetër e gjetjeve nga gërmimi i metrosë do të shfaqen në muze të ndryshme në të gjithë qytetin./abcnews.al