Këngëtarja Elizabeta Marku këtë të enjte ishte në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi, ku tregoi shumë detaje të parrëfyera nga jeta e saj profesionale e personale.
Ajo tregoi se muzikën e ka të trashëguar nga familja, ku në fillim kanë kënduar dy motrat më të mëdhaja, ndërkohë që prindërit dëshironin që Elizabeta të vazhdonte shkollën dhe jo muzikën.
“Jemi 6 fëmijë, 4 motra dhe dy vëllezër, një familje shumë e lumtur. Në familjen time çdo natë ka mbizotëruar çiftelia, këndonin motra e madhe dhe e treta, unë isha e vogla, kur vija për të kënduar aty më kujtohet babi që më thoshte ‘me mësime je shumë mirë mos u merr me këtë rrugë. Ndiq shkollën se ti mëson’. Mua që më tha që ti nuk bën për këtë rrugë, unë jam. Ndërsa ata që kënduan shumë bukur atyre ju ka ngel një ëndërr në sirtar; janë martuar, kanë një familje shumë të lumtur por e kujtojnë edhe sot ’pse nuk këndova’.”
Duke qenë në zgjedhje mes muzikës dhe një profesioni tjetër, ajo mbaron studimet për infermieri dhe për një kohë relativisht të gjatë punon në departamentin e kirurgjisë.
“Mamit i pëlqente mjekësia, ia plotësova dëshirën e saj. Kur punoja në kirurgji harroja se ku isha dhe më vinte për të kënduar, disa herë më tërhiqnin vëmëndjen, më thonin Elizabet je në kirurgji, ama veten e gjeja tek muzika”.
Këngëtarja tregoi se pavarësisht mos dëshirës së prindërve dhe mentalitetit që ekzistonte për vajzat që merreshin me muzikë guxoi që të publikoj këngën e saj të parë.
“Kur kam dalë në ekran, isha në vit të dytë të shkollës së lartë dhe kur e kanë parë familja klipin thonin ‘sa i ngjaka kësaj’ se nuk i tregova, ia bëra surprizë. Ata nuk kanë qenë në dijeni, se thosha ‘bo me i ndigju nga këto mentaliteti andej nuk do dalë asnjëherë’.”
E rritur mes mendësive të ndryshme a ja përmendin asaj dasmën e krijimin e familjes? Ajo zbuloi se nuk e ka këtë presion nga familja e se burri nuk është me patjetër lumturia kryesore në jetë./abcnews.al