Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi kërcënoi me armë fqinjin e tij.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Stroke” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 43 vjeç, banues në Allias, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri fqinjin e tij, shtetasin F. K., 42 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri në oborrin e banesës së 42-vjeçarit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/