Pas aktivitetit të përvitshëm të marshimit nga komuniteti LGBTQI+, ku këtë vit kishin moton “Ne jemi familje”, diskursi qe i zgjeruar dhe i dyanshëm. Për të folur më tej mbi ngjarjen e ndodhur më 21 Maj, ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ Arbër Kodra drejtor ekzekutiv i OMSAlbania.
“Ishin të gjithë ambasadorët që na kanë mbështetur dhe na mbështesin. Janë aty gjithmonë me ne kur kemi aktivitete apo evenimente të ndryshme. Këtë herë nuk bëm ftesa të personalizuara, ishte një marshim i hapur shumë publik dhe kush e ndjen vjen. Mungesa u vu re qoftë nga politikanë apo nga të gjitha institucione shtetërore.” – shprehu ai në lidhje me prezencën e personave në aktivitet.
Kodra shprehu se një ndër arsyet e mungesës së suportit nga politikanët është edhe frika e humbjes së votës, ndërkohë që tha se një pjesë e komunitetit gjatë vitit 2018 kanë pasur qasje të majtë.
“Ne vazhdojmë punën me politikën dhe politikanët, për ndërgjegjësimin e tyre, pjesëmarjen dhe shtyrjen për të bërë ndryshime. Ka shumë rëndësi që dhe ata të jenë aty me ne sepse të përfaqësosh një komunitet të caktuar nuk do të thotë të humbasësh vota. Ka një frikë që është e vazhdueshme dhe e thënë. Kur ulemi në ambiente jo formale ku diskutohet për ndryshime thonë ‘Okay, do bëjmë një ndryshim të caktuar por mos hajdeni me një listë të gjatë. Bëjmë njërën dhe pastaj tjetrën.’ Kemi bërë në 2018 raportin e parë dhe konferencën e parë në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë ku ana ishte më shumë nga e majta të them të drejtën.” – shprehu Kodra duke pohuar pyetjen e Ermalin nëse komuniteti “ngjyrosej” nga e majta më së shumti, të paktën në atë kohë.
Ndërkohë teksa nënvizonte disa nga rëndësitë apo benefitet e javës së krenarisë, shprehu se me daljen hapur fitoi lirinë dhe ishte pikërisht mbështetja e familjes që e ka ndjerë më të sigurtë mbi veprimet që po ndërmerrte.
“Për mua dalja hapur ka qenë të marrësh frymë. Më ka ndihmuar të jetoj i lirë me veten time. Por kostot normalisht që janë të mëdha, personale apo profesionale. Një nga frikërat e mëdha të familjes sime është siguria.”
Ndër kërkesat e parashtruara me marshimin e komunitetit LGBTQI+ është edhe e drejta e prindërimit dhe njohja e bashkëjetesës, për të cilat Arbri shprehu se: “Nëse unë kam një partner, nuk njihem ligjërisht në shtetin tim me atë partner. Ose nëse unë sëmurem nëser, ky partner nuk merr dot vendime për mua.”/abcnews.al