Në Spanjë janë regjistruar 23 raste të reja të lisë së majmunëve, kryesisht në rajonin e Madridit, ku shumica e rasteve të reja të infeksionit lidhen me përhapjen në sauna.
Me këtë, numri i përgjithshëm në Spanjë tani ka arritur në 30, ndërsa 23 raste të konfirmuara tani janë identifikuar në Portugalinë fqinje, ku të premten u zbuluan nëntë raste të reja.
Autoritetet e Madridit po punojnë për të mbikëqyrur rastet që rrjedhin kryesisht nga një epidemi e vetme në sauna, tha të premten shefi rajonal i shëndetësisë Enrique Ruiz Escudero.
“Departamenti i shëndetit publik do të bëjë një analizë edhe më të detajuar… për të kontrolluar infeksionin, për të thyer zinxhirët e transmetimit dhe për të zbutu sa më shumë transmetimin e këtij virusi”, tha ai.
Në Spanjë janë nën hetim edhe 18 raste të tjera të dyshuara, 15 në rajonin e Madridit, dy në Ishujt Kanarine dhe një në Andaluzi, theksojnë autoritetet shëndetësore.
Në Evropë, tashmë janë raportuar më shumë se 100 raste të infeksionit viral, që është më i zakonshëm në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.
Zakonisht është një infeksion i lehtë, me simptoma që përfshijnë temperaturë, dhimbje koke dhe një skuqje karakteristike me gunga.
Në Britani janë zbuluar 20 raste dhe autoritetet po ofrojnë një vaksinë kundër lisë për punonjësit e shëndetësisë dhe të tjerët që mund të kenë qenë të ekspozuar.
Lexo edhe: Alarmi nga lija e majmunëve, OBSH thërret takim urgjent
Agjencia britanike e sigurisë shëndetësore tha se një pjesë e konsiderueshme e rasteve të fundit në Britani dhe Evropë janë evidentuar te homoseksualët dhe meshkujt biseksualë.
Spanja po bën vlerësimin e terapive të ndryshme, si ilaçet antivirale dhe vaksinat, por deri më tani të gjitha rastet kanë simptoma të lehta dhe për këtë arsye nuk ka nevojë për trajtim specifik, tha të premten ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Carolina Darias.
Rastet në Portugali janë ende nën monitorim klinik, por asnjë rast nuk është shtruar në spital, pasi të gjithë janë të qëndrueshëm.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), lija e majmunëve është raportuar në të paktën tetë vende evropiane: Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Jashtë vendeve ku lija e majmunëve njihet si endemike, raste të ngjashme të fundit janë raportuar edhe në Australi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lia e majmunëve është një infeksion i rrallë viral, i cili mund të përhapet nga personi në person dhe shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit.
Që nga viti 1970, raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 11 vende afrikane. Nigeria ka pasur një epidemi të madhe që nga viti 2017, ndërkaq deri më tani ka pasur 46 raste të dyshimta këtë vit, 15 prej të cilave janë konfirmuar ndërkohë, thonë të dhënat e OBSH-së.
Rasti i parë në Evropë u konfirmua më 7 maj, te një individ i kthyer në Angli nga Nigeria.
Shumë raste nuk kanë të bëjnë me udhëtimet në Afrikë. Si rezultat, shkaku i kësaj epidemie është i paqartë, megjithëse autoritetet shëndetësore kanë thënë se ka potencialisht një shkallë të caktuar të përhapjes në komunitet./REL/