Besimtarët katolikë i janë drejtuar gjatë së shtunës në mëngjes kishave në të gjithë vendin për të bekuar shportën e ushqimeve të festës së Pashkës, ku simbol i kësaj feste mbetet veza e kuqe dhe buka e Pashkës.
Kështu nis rituali i festës së Pashkës. Janë besimtarët katolikë e jo vetëm që bekojnë ushqimin për ditën më të rëndësishme, atë të ngjalljes së Jezu Krishtit.
Thonë se marrin bekimin e Zotit për ushqimet e familjes e për këtë në mënyrë të veçantë ata i drejtohen kishës katolike me vezët e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes, ku nuk mungon buka e Pashkës, një shishe vere, djathi dhe hudhra të njoma, paralajmëruese të ardhjes së pranverës.
E gjithë familja mblidhet në tryezën e mbushur me gatimet më të mira, e më pas… nisin dhe vizitat tek familjarë dhe të afërm për të uruar sa më shumë mbarësi.
Prej disa ditësh në prag të festës së Pashkës nëpër dyqane apo dhe rrugë nuk kanë munguar produktet e dekoret nga më të ndryshmet.
Ndryshe nga vitet e tjera, festa e pashkëve nuk është shoqëruar me rritje të ndjeshme të çmimeve për disa nga produktet që nuk duhet ti mungojnë tavolinës dhe simbolikës së festës më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë./abcnews.al