“Morën lajmin; ikni sa më shpejt”, Berisha për arrestimet e SPAK: Vetëm një bos krimi është kapur

schedule19:10 - 19 Maj, 2022

schedule 19:10 - 19 Maj, 2022

Urdhër arrestet e lëshuara sot nga SPAK janë komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha nga Korça. Ky i fundit i cilësoi “arrestime në erë”, duke thënë se vetëm një bos krimi ka rënë në pranga kurse të tjerët janë “njoftuar” që të arratisen.

“Arrestime në erë, dmth nga 8 bosë të shpallur, vetëm njëri është në arrest. Të tjerët morën lajmin; ikni sa më shpejt.”, tha Berisha.

Plagosja e Dumanit dhe dëshmitë e tij çuan në firmosjen e 32 urdhër arresteve. Dhe jo pa qëllim, policia e kodoi operacionin e sotëm “plumbi i artë”. Edhe pse ishte i pritshëm pas dëshmive të Dumanit që para dy javësh, SPAK ka vendosur të veprojë vetëm ditën e djeshme. Ka qenë gjykatësja Atalanta Zeqiraj që ka firmosur kërkesat e SPAK.

Nuredin Dumani ka dhënë informacione të rëndësishme për prokurorinë për shumë ngjarje që ka pasur informacione apo dhe ka qenë i përfshirë. Janë goditur 8 grupe kriminale që akuzohen për vrasje, rrëmbim personi  dhe gjobëvënie.  Operacioni për kapjen e personave u shtri në katër qytete, Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Lezhë. Forcat speciale kanë bërë të mundur të kapin vetëm 13 persona,  disa prej të cilëve të arrestuar më herët për ngjarje të tjera kriminale. Asnjë nga të dyshuarit si drejtues  të grupeve kriminale nuk është vënë në prangat e policisë. ABC mëson se u kanë shpëtuar prangave Talo Çela, Erivis Martinaj,  Suel Çela, Agron Mehja  apo dhe Florenec Çapja, të proceduar disa herë për krime të rënda. Mësohet se gjatë kontrolleve në hotelin e Ervis Martinajt janë gjetur maska dhe sende të tjera të dyshuara që përdoreshin në ngjarje kriminale. Mos kapja e tyre lë të kuptohet se operacioni i policisë mund të jetë dekonspiruar. I shpallur në kërkim është edhe avokati Alkond Bengasi  cili njihet si avokati i bandave kriminale.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!