“Nuk diskutohet për presidentin në kafe,” Mediu: Në dëmin e opozitës që ta çojë procesin aty ku do Rama

schedule19:38 - 16 Maj, 2022

schedule 19:38 - 16 Maj, 2022

U deshën vetëm 5 minuta që parlamenti të ezauronte raundin e parë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës. I gjendur përballë këtij fakti, për të cilin tha se e priste, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu bëri autokritikë për mënyrën sesi opozita është duke e menaxhuar situatën.

Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, Mediu theksoi se ajo që është e rëndësishme është ajo çka po bën opozita mes vetes dhe pastaj vjen qëndrimi i mazhorancës.

Sipas tij, është në dënim e pakicës që ta çojë “procesin aty ku do Edi Rama.”

“Nuk e kuptoj sjelljen e opozitës. Jetojmë në një botë reale, ku e dimë se ku janë interesat. Të ofrojmë kandidatë me vlera. Këtë pjesë të procedurës parlamentare ta shfrytëzojmë, pra të mos diskutojmë pa fund për kriteret, po të vrasim mendjen cili duhet të jetë kandidati.”

I pyetur rreth letrës me kriteret që duhet të ketë kreu i ri i shtetit, dërguar nga Enkelejd Alibeaj në drejtim të mazhorancës dhe Grupeve Parlamentare të opozitës, Mediu theksoi edhe një herë që opozita duhet të jetë e bashkuar.

Duke u nisur nga fakti që letra me kritere u është dërguar njësoj si shumicës ashtu edhe aleatëve, kreu i PR, tha se gjuha duhej të ishte e ndryshme. Por a do të marrë pjesë opozita në raundet pasardhëse?

Fatmir Mediu theksoi se nëse bihet dakord që shumica e Ramës nuk është legjitime, atëherë nuk ka arsye për të marrë pjesë në proces. Në të kundërt, duhet që opozita të propozojë kandidatë.

“Do marrim apo jo pjesë në proces? Nëse jo, s’kemi pse shkojmë në parlament. Nëse kemi bindjen që mazhoranca s’ka shumicë legjitime, të shpërndahet parlamenti.”

I pyetur nëse ka diskutuar me Alibeajn, Dodën apo edhe Bylykbashin e Boçin, Mediu tha se diskutimet janë bërë vetëm në kafe.

“Marrëdhënia opozitare nuk duhet të jetë kafe. Kemi diskutuar duke pirë kafe. Kjo tregon mungesë serioziteti. Me ne filet ndryshe, me mazhorancën sillet ndryshe. Kjo ka ndodhur në 2012. A do i shërbejmë kësaj strategjie të Ramës? Apo do të ndërtojmë një strategji tonën. Nuk ka sens t’i kërkojmë konsensus mazhorancës kur nuk e kemi mes nesh.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!