Për rindërtimin dhe restaurimin e pjesës së dëmtuar të katedrales Notrë Damë në Paris do të organizohet një konkurs ndërkombëtar. Duke njoftuar nismën e qeverisë, kryeministri francez Eduard Filip saktësoi se nisma bëhet me qëllim që rindërtimi të jetë sipas standardeve të kohës.
Një konkurs ndërkombëtar arkitekture do të organizohet për rikonstruksionin e pjesshëm të katedrales Notrë Damë, pas dëmtimeve të marra nga zjarri i ditës së hënë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Francës, Eduard Filip, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, që kishte në fokus pikërisht rastin e katedrales.
“Qëllimi është t’i japim Notrë Damë një shtizë të re, sipas teknikave dhe kritereve të kohës sonë”, deklaroi Filip.
Kreu i qeverisë bëri gjithashtu me dije se një projekt/ligj do të prezantohet javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave për t’i dhënë projektit një kornizë ligjore dhe garanci për transparencë.
Filip theksoi se çdo euro që dhurohet për rikonstruksionin e katedrales do të shkojë për këtë qëllim dhe për asgjë tjetër. Ndërkohë, një reduktim prej 75 për qind i taksave do të bëhet për individët që bëjnë donacione deri në 1 mijë euro dhe 66 për qind për kë bën donacione mbi këtë kuotë. Ndërsa për kompanitë nuk do të ketë ndryshime.
“Kompanitë do të përfitojnë nga programi i shkurtimit të taksave i njohur si “Patronazhi”, në bazë të kushteve aktuale”, shtoi kryeministri.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe Shteti Islamik, me mesazhin se zjarri i rënë në katedrale vetëm pak ditë përpara Pashkës është një shenjë “shpagimi dhe ndëshkimi”./abcnews.al