Presidenti Ilir Meta ka komentuar edhe njëherë vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019. Sipas kreut të shtetit, ajo ishte planifikuar si ditë e zezë për Shqipërinë dhe para se të njoftojë zyrtarisht vendimin e tij ka telefonuar asokohe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin.
Meta thotë se kryeministri Edi Rama kishte informacion për trazira, por do t’i lejonte që të fajësonte opozitën.
“Për dekretin e zgjedhjeve kam folur vetëm me Rucin. Mora në telefon Ruçin para se të bëja një akt publik për korrektesë. Me Ramën edhe më parë kisha folur për rëndësinë e zgjedhjeve të lira. Ruçi kur e kam marrë në telefon ka qenë duke hyrë për në Tepelenë.
Doja që të bëja një veprim që të mos i jepja mundësi askujt që të bënte diçka tjetër. Ajo ishte planifikuar si ditë e zezë për Shqipërinë. Mora përgjegjësi të madhe dhe këmbëngula për dialog, ftoja Ramën. Ai nuk kishte interes. Rama kishte informacion për trazira, do i lejonte dhe do fajësonte opozitën, prandaj u detyrova te anuloj zgjedhjet”, tha Meta në Top Channel. /abcnews.al