I riu që akuzohet për vrasjen e punëdhënësit të tij në Angli do të ekstradohet. Gjykata e Durrësit e mori vendimin pavarësisht pretendimeve të avokatit të Elton Sefës, i cili tha se klienti i tij nuk mund të kthehet mbrapsht sepse është i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi të ekstradojë drejt Anglisë Elton Sefën, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për një vrasje në atë shtet. Arsen Çaushaj, avokati mbrojtës i 23-vjeçarit, kërkoi pezullimin e vendimit duke vënë para gjykatës dhe prokurorit Ilir Turja dokumente që vërtetojnë se i riu ka diagnozën, çrregullim psikotik.
Kur ai u kthye nga Anglia u shtrua ne spitalin psikiatrik në Tiranë. Por këto dokumente nuk u morën parasysh as nga prokuroria dhe as nga gjykata.
“Më kanë paraqitur një akt shkresor që shtetasi Elton Sefa ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik në Tiranë, për një periudhë më shumë se dy javore. Është ekzaminuar nga mbi 7 ekspertë shqiptarë, të cilët kanë përcaktuar se ai është një person që vuan nga shqetësime psikike mendore dhe nuk kupton realitetin në të cilin ndodhet”, tha avokati Arsen Çaushaj.
Babai i 23-vjeçarit kuksian tregon vuajtjet e të birit në Angli, i cili akuzohet për vrasjen e 47-vjeçarit John Woodward në 17 Prill të 2018.
“Ka qenë punëtor. Ka ik se ka qenë pa letra. Kështu akuza që thotë prokurori Ilir Turja”, tha Babai Elmi Sefa
Gjykata e Durrësit nuk pranoi kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim ligjor, por familja dhe avokati do vazhdojnë betejën ligjore për të anuluar vendimin e ekstradimit drejt Anglisë./abcnews.al