Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për deklaratat e prokurorit Arjan Ndoj. Ky i fundit, i cili u shkarkua nga vettingu tha se ka regjistrime telefonike të kryeministrit.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha u shpreh se ai vetë e ka sulmuar Ndojn, por deklaratat e tij duhen hetuar. Ish-kryeministri tha se telefoni i famshëm “BQ” është në analizë dhe po zbardhen mesazhet.
“Kërkoj një komision hetimor për dëshminë e prokurorit Ndoj që thotë se e ka të regjistruar kryeministrin. Unë vetëm kam folur kundër Ndojt. Por mbi Ndoj u shkrehën kallashnikovët. Nuk jam unë kurrë që të vriten njerëz.
Kur ishte nën breshëri, Rama lëshonte breshëri kundër tij. Kishte gisht Edi Rama pas atij atentati? Kjo do hetim. Çfarë ka pasur në tabulate që Ndoj e denoncoi me guxim. Dua të them këtu. Se nuk janë vetëm këto tabulate, telefoni i famshëm “BQ” është në analizë. Po analizohen zërat. Po zbardhen mesazhet e tyre”, tha Berisha. /abcnews.al