Një tjetër “Yll” shkëlqeu mbrëmë në “San Siro”. Kristian Asllani gjeti golin e parë në Seria A, pikërisht përballë Interit, i cili po këmbëngul që sezonin e ardhshëm t’i veshë fanellën zikaltër, pasi karakteristikat e mesfushorit shqiptar janë “identike” me atë të Marselo Brozovic.
Që prej janarit futbollisti 20-vjeçar është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm për skuadrën e Andreazzolit, ndërsa ndaj zikaltërve gjeti edhe golin e parë, ndonëse luajti në një rol ndryshe nga ai i zakonshmi, pasi nuk ishte pozicionuar para mbrojtjes, por në krah të mesfushës me tre.
Në përfundim të ndeshjes, Asllani nuk mund t’i shpëtonte interesit të medias, teksa foli për emocionet e golit të tij të parë në Serinë A dhe në të njëjtën kohë, nuk i kurseu komplimentet për trajnerin e Empolit.
“Është një mëkat që pësuam përmbysjen, por bëmë një ndeshje shumë të mirë, ndaj një kundërshtari të madh. Kemi ndërtuar lojën si gjithmonë nga poshtë dhe duke dalë me precizion, por në fund shkoi kështu dhe duhet ta pranojmë humbjen. Unë jam një lojtar që luaj para mbrojtjes, por mund të bëj mirë në role të ndryshme, qoftë si anësor, qoftë si trekuartist. Andreazzoli më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe shpresoj që gjatë karrierës time të gjej të tjerë trajnerë si ai”, deklaroi Asllani.
E ndërkohë që mesfushori 20-vjeçar ishte duke folur para kamerave, aty pranë kaloi pikërisht trajneri i Empolit, që u ndal dhe i tha: Vazhdo kështu se rrugëtimi yt është shtruar tashmë! /f.a/abcnews.al