Felix Bilani këtë vit kremton 30 vite punë si fotograf e fotoreporter i gazetave, revistave dhe televizioneve shqiptare. I ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin, ai rrëfeu prapaskenat e tre dekadave të kaluara.
Ndonëse gjithmonë duke shkrepur momente nga ngjarje historike e protesta në vendin tonë, Felixi shprehu se kurrë nuk ka bërë kompromis dhe fotografitë i ka publikuar ndonëse dikujt mund t’i ketë “prishur punë”.
“…Një pjesë e madhe ma din kokën që me mua nuk ka kompromis por kam provuar të gjitha birucat e komisariateve. Ish ministri i asaj kohe më kishte në vend të gjahut, në momentin që shihesha ndalohesha menjëherë. Ne rrezikonim burgun për lajmin, rrezikonim drurin shkopin e gomës për lajmin. Sot fatkeqësisht nuk është më ajo gazetari.”
Por fatkeqësia është se në këtë 30 vjetor, Bilani gjendet i papunë. Ai shpreh se është e dhimbshme çfarë po ndodh me fotografinë në Shqipëri, se gazetaria e ka humbur cilësinë e saj dhe zhanri i fotoreporterit tashmë është zhduku.
“Për hir të parimit, Felix Bilai nuk mund të lëpijë fundshpinën e askujt. Arritën të bëjnë të mundur eleminimin e zhanrit të fotoreporterit. Dhe prandaj unë kam ndërmend të hap arkivin, dhe ta hap arkivin për shumë gjëra.”
Fotoreporteri i çmimeve ndërkombëtare hapi arkivën ekskluzivisht për ‘Abc e Pasdites” duke zbuluar disa fotografi nga protesta pas rënies së firmave piramidale për të cilat shprehu:
“ajo tabelë ‘Duam të drejtat tona’ është që nga kjo kohë e vazhdon edhe sot e kësaj dite… i bien kokës me grushta pse humbën paratë. Akoma ky popull mendon se fajdet ishin gjithçka. Shqiptarët janë popull që harrojnë. Në 8 vite apo 9 vite, shuma që është grabitur nga xhepat e shqiptarëve është 25 herë më e madhe se të gjitha firmat piramidale të bëra sëbashku. Këtu nuk po ndodh më fenomeni i marrjes me një dorë. Këtu merret 10 lekshi e 20 lekshi. Sepse shqiptarët ecin me llogari ditore. Është vrasja ekonomike.” – rrëfeu Bilani përceptimin e tij mbi situatën në vend./abcnews.al