Pas autobusit të linjës së “Unazës së Re” i cili ra në Lanë të premten e 29 prillit, një tjetër urban është aksidentuar mesditën e sotme në Tiranë.
Autobusi i linjës “Qyteti Studenti- Jordan Misja” është përplasur në kabinën e stacionit ku presin pasagjerët para maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në bulevardin “Zogu I”.
Nga pamjet e siguruara nga abcnews.al duket se xhami i përparmë i autobusit është thyer. Është thyer gjithashtu edhe xhami i stacionit.
Lexo edhe: VIDEO/ Aksident i frikshëm në Tiranë, autobusi i Unazës përfundon në Lanë, poshtë tij një makinë
Mësohet se nga aksidenti nuk ka të lënduar, përpos dëmeve materiale.
Policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 02.05.2022, rreth orës 13:00, në bulevardin “Zogu I”, shtetasi D. Sh., duke drejtuar autobusin e linjës së Tiranës së Re, dyshohet se është përplasur me mbulesën e vendqëndrimit të stacionit të autobusit.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
/abcnews.al/