Menjëherë pas rikonstruksionit të konvikteve në qytetin Studenti, Bashkia e Tiranës do të nisë punën për rehabilitimin godinave edhe në Universitetin Bujqësor të cilat tashmë janë të zaptuara apo të degraduara tërësisht.
Gjatë inspektimit me Kryeministrin Edi Rama në godinat 28 nga 29 në Qytetin Studenti që janë rikonstruktuar tërësisht, Veliaj theksoi se të gjithë ato familje të cilat për 30 vjet kanë zënë këto godina do të përfitojnë banesa sociale nga Bashkia dhe dhomat do u kthehen studentëve. “Deri tani kanë përfunduar 3 konvikte, ndërkohë që kemi në proces 11, dhe pritet të fillojë puna edhe në 5.
Kjo na ndihmon pastaj të kalojmë te pjesa e konvikteve në Universitetin Bujqësor, nëse këtu situata ju duket keq, aty është edhe më keq. Konviktet aty janë të zaptuara. Ndërkohë po punohet për lirimin e tyre. Bashkia po jep banesa sociale për ata që i kanë zënë për 30 vite”, tha Veliaj. Ndërkohë, brenda mandatit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, në zonën e Qytetit Studenti do të ngrihet një kampus i ri universitar, me standardet më moderne evropiane./abcnews.al