Partizani mban distancën me Kukësin

schedule23:35 - 10 Prill, 2019

schedule 23:35 - 10 Prill, 2019

Partizani mundi Skënderbeun 2-0 dhe nuk lejoi Kukësin që të afrohej në renditjen e Superligës. Mbrojtësi Belica dhe sulmuesi Asani shënuan për kryeqytetasit.

Kur javët kalojnë dhe diferenca mbetet e njëjtë, titulli është më afër. Partizani i këtij sezoni, edhe pse nuk e ka vrarë kampionatin, sërish e ka goditur rëndë, duke ruajtur 8 pikë epërsi ndaj ndjekësit më të afërt, Kukësit, kur duhen edhe 8 javë deri në mbyllje.

Shumë epërsi, që bëhet edhe më e vlefshme duke parë se cilësia e skuadrës së sotme të Skënder Gegës nuk është ajo që ishte para dy vitesh. Skënderbeu u mund 2-0 dhe kryeqytetasit i dhanë të drejtë trajnerit të tyre që deklaroi se Partizani gjithnjë reagon pas humbjeve.

Kështu ndodhi edhe kur u mund dy herë nga korçarët në gjysmën e parë të sezonit, kështu edhe pas disfatës së papritur me Luftëtarin. Fitore komode 2-0, me nga një gol në çdo pjesë loje, i pari shënuar me fat nga Belica, dhe i dyti me një penallti fituar nga Lorenc Trashi, dhe ekzekutuar saktë nga Jasir Asani.

Skënderbeu nuk është se nuk pati lojë dhe se nuk sulmoi, madje krijoi edhe disa raste, por kampionëve duket qartë se i mungon përqendrimi dhe vullneti i sezoneve të kaluara, plus që edhe cilësia është më e paktë.

Tashmë, skuadra e trajnerit Shehi është në vend të gjashtë, menjëherë mbi ekipet që rrezikojnë rënien nga kategoria. Mesjavë e mbarë edhe për Flamurtarin që e sheh veten në vend të tretë pas fitores 3-1 ndaj Teutës në Vlorë.

Ribaj, Sukaj e Batha me penallti ishin autorë golash për ekipin e trajnerit Daja, dhe Traore për durrsakët. Partizani ka 57 pikë pas 28 javëve, ndaj 49 të Kukësit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!