Kastrioti i Çelës nuk njeh kufi, Vllaznia rikthehet te fitorja, “kërcënon” Kukësin e Partizanin

schedule18:46 - 30 Prill, 2022

schedule 18:46 - 30 Prill, 2022

Kastrioti i Emiliano Çelës nuk ka të ndalur, pasi ditën e sotme mposhti 2-1 Egnatian në duelin direkt për mbijetesë, ku vendimtarë në këtë takim ishte Greca, që shënoi duke i dhuruar 3 pikët krutanëve.

Një ndeshje e luftuar rezultoi përballja në Kamëz, me dy skuadrat që kërkonin fitoren për mbijetesën, teksa pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por me shtylla të goditura nga dy skuadrat.

Në pjesën e dytë të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë. Pedro Agustro arriti që në minutën e 60-të t’u jepte epërsinë numerike rrogozhinasve, ku pas një asisti nga Jackson, Pedro mposhti portierin e Kastriotit.

12 minuta më pas, vendasit gjetën golin e barazimit, ku shkodrani Edon Hasani do të shënonte në portën e Egnatias, pas asistit të dhënë nga kapiteni Neziri.

Egnatia “mbyt” veten në Kamëz, pasi në minutën e 78-të fiton penallti, ku Gëzim Krasniqi merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, por ndalet nga portieri Sali, me këtë të fundit që mban skuadrat në barazim 1-1.

Krutanët e Çelës nuk dorëzohen dhe shënojnë në minutat e fundit edhe golin e fitores, pasi Greca shënoi  golin e  3 pikëve për skuadrën vendase, duke shokuar kështu Egnatian, e cila mposhtet me përmbysje.

Me këtë fitore Kastioti shkon në kuotën e 43 pikëve i pozicionuar në vendin e 6-të, teksa kjo është triumfi i 7-të rresht për të besuarit e Emiliano Çelës, ndërsa nga krahu tjetër Egantia e Zekirija Ramadanit mbetet në kuotën e 34 pikëve në vendin e 8-të.

Vllaznia ia del të fitojë minimalisht në “Loro Boriçi” pasi mposhti Skënderbeun 1-0. Në këtë mënyrë skuadra shkodrane i falet në minutën e 58-të Esin Hakaj për 3 pikët e fituara, pasi kuqeblutë e Elvis Plorit rikthehen te fitorja pas disa javës, ndërsa tashmë “kërcënojnë” Kukësin dhe Partizanin për vendin e 3-të.

Aktualisht Vllaznia ndodhet në kuotën e 45 pikëve, një më pak se dy kundërshtarët e saj, verilindorët dhe demat.

Ndërkohë nga krahu tjetër Skënderbeu u Skënder Gegës është i pafuqishëm për të siguruar të paktën një pikë, pasi ndodhen në vendin e fundit me vetëm 21 pikë.

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!