Ngjarja në Rinas, Lleshaj: Mosgarantimi i sigurisë, përgjegjësi e koncensionarit

schedule15:17 - 10 Prill, 2019

schedule 15:17 - 10 Prill, 2019

Ministri i Brendshëm, ka reaguar për grabitjen që ndodhi një ditë më parë në aeroportin e Rinasit. Lleshaj tha se koncesionari i aeroportit nuk ka sinjalizuar në kohë Policinë e Shtetit, teksa iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike.

Pas grabitjes në Rinas ku morën një sasi e konsiderueshme parash, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri përgjegjës kompanitë koncesionare dhe nënkrontraktorin për mosfunksionimin e sigurisë ne aeroport.

“Nga analiza e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit. Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike.  Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil”, tha Lleshaj.

Lleshaj tha se cënimi i sigurisë së aeroportit, është pasojë e marrëdhënieve të vështira të policisë me koncensionarin që në pothuajse tre vjet ka refuzuar kërkesat për shtim të masave të sigurisë.

“Siguria e jetës, ajo e pronës dhe siguria kombëtare prevalojnë mbi të gjitha interesat e tjerë. Të gjitha masat që do të merren do të jenë plotësisht në funksion të garantimit të sigurisë kombëtare, të jetës e të pronës. Me masat e reja që do të merren do të garantohet një nivel sigurie i ri, shumë herë më i lartë dhe në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare”, u shpreh ministri

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike për grabitjen me armë brenda aeroportit të Rinasit.

“Në të njëjtën kohë dua të shpreh keqardhjen e thellë për segmente të caktuara të politikës destruktive, që edhe në momentet kur Policia e Shtetit ishte në zhvillim të një përpjekjeje të rrezikshme dhe të armatosur me grupin kriminal, nxituan të rreshtohen kundër saj, të akuzojnë në mënyrë të përçartur dhe krejt të pabazuar atë, si dhe të përhapnin tymin e të pavërtetës, në një kohë kur pritej përkrahja e çdo qytetari apo grupi politik që ndjen përgjegjësinë normale ndaj sigurisë dhe rendit publik të Shqipërisë”, theksoi ai./abcnews.al