Brexit, May takon Merkel për shtyrjen e procesit

schedule19:07 - 9 Prill, 2019

schedule 19:07 - 9 Prill, 2019

Kryeministrja britanike Theresa Mej po zhvillon një tur takimesh me liderët europianë për të kërkuar shtyrjen e Breksit deri më 30 qershor.

Kryeministrja britanike Theresa Mej ka zhvilluar bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkel për të kërkuar një shtyrje të Breksit. Mej u takua me Merkel në Berlin, ndërsa ka në plan edhe një takim me presidentin francez Emanuel Makron në Paris. Ajo kërkon nga palët që të mbështesin kërkesën e saj për shtyrjen e Breksit deri më 30 qershor. Sipas BBC, kancelarja Merkel dhe kryeministrja ranë dakord sa i takon rëndësisë që tërheqja e Britanisë nga Unioni të bëhet në mënyrë të kontrolluar. Takimi vjen një ditë para samitit të jashtëzakonshëm të vendeve të BE-së lidhur me Breksit. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar pritet të rifillojnë bisedimet ndërpartiake për të tejkaluar ngërçin që ka përfshirë procesin. Palët, konservatorët dhe laburistët, nuk bien dakord sa i takon propozimit të opozitës për një union doganor me BE-në. Për sekretarin britanik të Tregtisë, Liam Foks, një lëvizje e tillë do të ishte më e keqja për të dyja palët dhe do ta linte Britaninë të paaftë për të hartuar politikën e saj tregtare. Aktualisht është parashikuar që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja ditën e premte, por Mej dhe Merkel diskutuan mundësinë për ta shtyrë daljen më 30 qershor, me opsionin për të dalë më herët nëse marrëveshja kalon në Parlamentin britanik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!