Lajçak: Në Ballkanin Perëndimor s’po na besojnë se jemi seriozë

schedule14:40 - 26 Prill, 2022

schedule 14:40 - 26 Prill, 2022

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, në fjalën e tij në Forumin BE-Ballkani në Sofje, u zotua për sinqeritet në përgjigje kur u pyet se ku është problemi i ngecjes së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Ai tha se problemi është i kombinuar nga të dyja palët, por e cilësoi si kyçe mungesën e kredibilitetit në BE nga vendet partnere ballkanike, për të cilat tha se janë të demotivuara.

“Është kombinim, por të bëhemi të sinqertë – problemi është se perspektiva europiane s’po shihet më si kredibile. Ne kemi tejkaluar qëllimet, kemi ardhur me kushte shtesë dhe demotivimi i partnerëve tonë nuk është dashur të ndodhë. Ata më nuk po na besojnë se ne jemi seriozë kur ne flasim për perspektivën europiane…ne presim nga ata që të ndërmarrin reforma të vështira europiane, nga të cilat vjen anëtarësimi në fund. Ne duhet të rikthejmë besimin në procesin e zgjerimit të BE-së dhe besoj që kjo do të ndikojë pozitivisht në performancën e partnerëve tonë. Kjo duhet të ndryshojë”, tha Lajçak, raporton Gazeta Express.

Ai tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit europian. Derisa tha se agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një momentum që s’do të zgjasë shumë dhe që duhet të shfrytëzohet, Lajçak tha se nëse shtetet e Ballkanit mendojnë se zgjerimi do të ndodhë vetvetiu dhe lufta në Ukrainë do t’i shtyjë drejt anëtarësimit në BE, atëherë gabohen.

I pyetur nëse siguria ishte përgjegjësi e NATO-s apo BE-së, Lajçak tha se tashmë kanë ndërruar gjërat.

“Sigurinë e kemi marrë si të mirëqenë, por tashmë është e qartë që s’mund të merret asgjë për të mirëqenë. Siguria ka shumë dimensione, me të cilat jemi duke u përballur, përfshirë sigurinë energjetike dhe atë ushqimore. Ne duhet të forcojmë sigurinë tonë në shumë dimensione”./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!