113 mln euro abuzime nga shkeljet në tendera, KPP: Rriten ankesat për përzgjedhjen e fituesve

schedule15:40 - 25 Prill, 2022

schedule 15:40 - 25 Prill, 2022

Nga Erblina Mile

Prokurimet Publike vijojnë të kenë një sërë shkeljesh duke cënuar direkt buxhetin e shtetit dhe përzgjedhjen e ofertave më të mira.Në raportin vjetor të Komisionit të Prokurimeve Publike rezulton se rreth 10 % e  numrit total të  tenderave të zhvilluar, me vlerë 13.7 mld lekë ose mbi  113 mln euro janë ankimuar.

Problematikat kryesore në zhvillimin e tenderave lidhen në rreth 40 %  të ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe mbi 61 % e tyre janë  për fazën e vlerësimit të ofertave.

Gjithashtu, me ndryshimet ligjore operatorët ekonomikë  kanë të drejtë të bëjnë ankesë për herë të parë në dhjetë vitet e fundit pranë Komisionit të Prokurimit Publik edhe për procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Gjatë vitit 2021, pranë KPP-së janë paraqitur dy ankesa në lidhje me procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, një ankesë në lidhje me dokumentet e tenderit dhe një ankesë në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë të ftuar në procedurë nga autoriteti kontraktor

Ndërkohë nëse krahasojmë ankesat e bëra ndër vite rezulton se ka pasur shtim të procedurave ku janë vërejtur shkelje .Gjatë vitit të kaluar numri i ankesave  për tenderat pranë Komisionit të Prokurimit Publik është rritur me 3.7% ose 566 procedura tenderuese.

Gjatë vitit 2021, nga totali i ankesave të shqyrtuara  483 prej tyre janë paraqitur për fazën e vlerësimit të ofertave. Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik rezulton se  rishikimi i procedurave i  ka kursyer buxhetit të shtetit, vlerën prej rreth 119,3 mln lekë llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Sipas institucioneve  numrin më të lartë të ankimeve nga operatorët ekonomikë  e ka Agjencia e blerjeve me 77 ankesa e ndjekur nga qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, Kesh dhe Bashkia Durrës.

/abcnews.al