Mbi 18 tërmete këtë javë godasin vendin

schedule16:49 - 29 Nëntor, 2017

schedule 16:49 - 29 Nëntor, 2017

Mbi 18 tërmete kanë goditur territorin shqiptar këtë javë. Lëkundjet e tokës janë riaktivizuar pas një periudhe qetësie ndonëse me intensitet të ulët.

Tërmetet në Shqipëri janë riaktivizuar pas një periudhe qetësie. Vetëm këtë javë territori i vendit është goditur nga mbi 18 tërmete. Lëkundjet e fundit me magnitudë 2.4 dhe 2.7 të shkallës Rihter janë regjistruar mëngjesin e së mërkurës në qytetin e Kukësit. Ndërsa intensitet më të lartë, magnitudë 3.2 të shkallës Rihter, kishte ai i regjistruar një ditë më parë rreth 7 kilometra larg Gjirokastrës. Sizmiologët analizojnë situatën dhe shprehën.

“Nuk përjashtohet asnjëherë mundësia e ndodhjes së një tërmeti me magnitudë të madhe, por nisur nga aktiviteti konkret, duket se këto janë tërmetë të grupuara në një zonë të caktuar dhe ne po presim të kemi alert për zonën në fjalë. Këto janë tërmete të shpërndara në të gjithë territorin e vendit”.

Nëse deri tani kemi dëgjuar të flitet kryesisht për aspektin negativ të lëkundjve të tilla, sizmiologët shpjegojnë se kanë dhe një anë pozitive.

“Në raste të caktuara, ndodhja e aktivitetit sporadik mikrotërmetor, bën të mundur që në zona të caktuara të kemi çlirim të energjisë sizmike dhe kjo e relakson zonën. Pra, me kohën aty janë akumuluar sforcime për shkak të lëvizjeve së pllakave tektonike në rajon dhe normalisht në territorin e vendit tonë, duke qenë se është i fraktuar me thyerje tektonike aktive, akumulohen këto lloje sforcimesh dhe në zona të caktuara çlirohet energjia dhe kjo bën të mundur që të parandalojë në një kohë sa më të afërt një ngjarje të moderuar e cila mund të jetë më me impakt. Kemi pasur aktivitet mikrotërmetor në zonën e Korçës, ndërsa në zonat e tjera ka qenë aktivitet më sporadik si në zonën e Elbasanit dhe Kukësit”.

Në varësi të shpërndarjes në hapësirë, në kohë dhe ritmit të tërmeteve, specialistët formojnë pritshmëritë për situatën, megjithatë përsërisin se termetet nuk mund të parashikohen./abcnews.al

 

https://youtu.be/SL2lHg4oR6s

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!