Haller përfundon në radarin e skuadrave “big”, Milan përgatit ofertën për sulmuesin

schedule15:15 - 24 Prill, 2022

schedule 15:15 - 24 Prill, 2022

Ylli i Ajax, Sebastian Haller është kthyer në lojtarin e shumë dëshiruar të disa ekipeve të mëdha, ku konkurrenca për të siguruar shërbimet e tij tashmë është bërë e madhe.

Gjetja e një sulmuesi që garanton gola për sezonin e ri është kthyer në një mision për Milanin, me drejtuesit që kanë “peshkuar” pikërisht në Holandë te skuadra e Ajax, ku kërkojnë shërbimet e Haller.

Sipas “Gazzeta dello Sport” raportohet se kuqezinjtë kanë nisur përgatitjen e ofertës për transferimin e tij, me Milan që është gati t’i ofrojë Ajax 35 milione euro plus 5 milionë të tjera bonuse, në mënyrë që të sigurojë sulmuesin shtatlartë.

Kujtojmë se drejtuesit e kuqezinjve nuk do ta kenë aspak të lehtë që Haller ta vendosin në urdhrat e Stefano Piolit, pasi për 27-vjeçarin kanë shfaqur interesim edhe Borussia Dortmund, Bayern Munich, Arsenal dhe Inter.

Ndërkohë me transferimin e Erik Ten Hag në “Old Trafford” gjithçka bëhet edhe më e vështirë për Milan, pasi tekniku holandez e njeh shumë mirë lojtarin dhe kërkon ta marrë me vete në fund të sezonit për ta transferuar në Premier League.

27-vjeçari është duke kaluar formë të jashtëzakonshme me Ajaxin këtë edicion, ku në 39 ndeshje zyrtare ka shënuar 33 gola e ka asistuar në nëntë të tjerë. /f.a/abcnews.al