Abdixhiku: Skandali me ambasadorin në Slloveni është arsyeja e vërtetë qe pushteti po refuzon komisionin për energjinë

schedule14:09 - 23 Prill, 2022

schedule 14:09 - 23 Prill, 2022

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për rastin e Ambasadorit të Kossovës në Kroaci, Martin Berishajt, për të cilin mediat sllovene po raportojnë se është përfshirë në një skandal të madh financiar atje, raporton Express.

Ai e ka lidhur këtë rast me refuzimin e Vetëvendosjes për formimin e Komisionit Hetimor në Kuvend për energjinë, duke thënë se kjo është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit për këtë.

“Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se “ky skandal dhe të tjera skandale” në shpenzimin e 120 milionë eurove dhe shtrenjtimin e faturave duhet të zbardhen.

“Asnjë arsyetim refuzues i tyre nuk kishte kuptim. As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj – merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se ambasadori Berishaj duhet të tërhiqet menjëherë, derisa ka thënë se bojkoti i tyre në Kuvend s’do të marrë fund derisa të formohet Komisioni Hetimor për Energji.

“Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim”, ka shkruar Abdixhiku./Gazeta Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!