Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, së bashku me kreun e PR, Fatmir Mediu gjatë kësaj jave takuan kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla për sa i përket negociatave për Presidentin.
I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, Duka sqaroi se si do të funksionojnë negociatat me maxhorancën. Ai tha se nëse opozita do të marrë pjesë në konsultime, do të shkojë me emra konkretë.
Xhokaxhi: Si do të funksionojnë negociatat me PS? Do të shkoni me emra, do mbroni kandidaturat? Apo do bini dakord për kandidaturat që do propozojë maxhorana, ky bën, ku s’bën?
Duka: Nëse do biem dakord, por gjasat janë shumë pak, nëse opozitës do i bjerë radha të jetë në negociata natyrisht që do japim emra konkretë, me cilësi. Që të bëhet kjo, negociata e parë do jetë kush janë cilësitë dhe kush janë fashat që ne duhet të zgjedhim. Duhet të thotë ku. Do dalim jashtë parlamentit, do zgjedhim njerëz jo politik nga shtresa e të përndjekurve, apo njerëz që kanë qenë në politikë dhe tani janë jashtë. Pastaj e japim ne.
Xhokaxhi: Ka disa nga PD që thonë nëse do donte konsensus Rama, duhet t’ia linte të drejtën opozitës për të propozuar.
Duka: Kështu është. Edhe unë e paragjykoj procesin. Gjithsesi të luftojmë për argumentet që thamë. Boll ka luajtur Rama me ne dhe nuk duhet t’ia japim mundësinë.
Xhokaxhi: Nëse Berisha nuk lejon përfaqësi nga PD në këto negociata, si do veprohet. Do t’i bashkangjiteni Alibeajt dhe atyre që do zgjedhë Alibeaj?
Duka: Në grupin tonë ka njerëz me integritet dhe për një situatë të tillë duhet të mblidhemi dhe të vendosim. Nëse më pyet mua, do thosha që me çdolloj pjese të opozitës do bashkohemi. Ne duhet të marrim aksion, veprim, duhet të marrim risk.
Xhokaxhi: Në kushtet kur është PD, a keni marrë një vendim cilën linjë do të ndiqni? Do t’i shkoni deri në fund linjës së Berishës apo mbeteni thjesht me PD?
Duka: Nëse do ndodhë një gjë e tillë, ndoshta mund të vijë koha që mund të ketë dy parti. Ne do mundohemi që gjithë opozita të jetë e bashkuar, bashkë me këto dy parti. Nuk kam preference, nuk po bëj diplomantin. Kam pasur luhatje në marrëdhënie me Berishën, me Bashën kam pasur marrëdhënie të mira, por në PD Basha ka bërë gabime të mëdha, ka bërë harakirin politik. Në politikë nuk të fal asnjë, mos mendo se Basha na ka dhuruar ndonjë gjë se na donte fort për një arsye apo një tjetër.
Xhokaxhi: Palët në PD akuzojnë njëra-tjetrën se po i shërbejnë Ramës.
Duka: Nuk e besoj, por në mënyrë instiktive i shërben Ramës. Nëse ti shton konfliktin, jo me marrëveshje.
Duka u ndal edhe te rikthimi i Ilir Metës në opozitë pas përfundimit të mandatit të Presidentit më 24 korrik. Duka e shikon si diçka pozitive, pasi Meta ka një karrierë të pasur politike.
Duka: Absolutisht brenda LSI-së. këto janë gjëra që duken, unë gjykoj në veprat e bëra në të kaluar. Këta janë njerëz që kanë një karrierë politike shumë të pasur. Meta ka treguar që të paktën për sa i përket fushatave elektorale është kafshë politike. /abcnews.al/