Zyra e një noteri në Lezhë është përfshirë nga flakët orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Luigj Gurakuqi, ndërsa bëhet fjalë për zyrën e noterit Vasil Martini.
Nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes mund të shihen forcat zjarrfikëse si dhe një numër makinash policie.
“Jam njoftuar në orën 4:00 të mëngjesit se kishte zjarr në zyrën time. Kam ardhur me vrap, kam njoftuar zjarrfikëset dhe kam ndërhyrë për të shuar zjarrin. Si rezultat i flakëve, zyra ka pësuar disa dëme shumë të mëdha. Dua të komunikoj përmes jush me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë klientët e mi, që kanë marrë shërbim në zyrën time se i gjithë dokumentacioni është i ruajtur, i siguruar dhe i rikuperueshëm në masën 100%. Zyra është e formatuar sipas ligjit për noterinë.” tha Martini ndërsa shtoi se është herët për të folur për shkaqet e flakëve në zyrë.
“Është shpejt për të folur për shkakun e zjarrit është detyrë e organeve kompetente. Unë kam për detyrë të garantoj qytetarët se cdo akt në zyrën time është i sigurtë dhe do rikuperohet sapo zyra të jetë funksionale,” shprehet noteri.
NJOFTIMI
“Në orët e para të mëngjesit, në qytet Lezhë, në ambientet e brendshme të zyrës noteriale në pronësi të shtetasit V.M. 56 vjeç, banues në Lezhë, ka rënë zjarr.
Nga kqyrja paraprake, administrimi i të dhënave dhe pyetja e personave që kanë dijeni për gjithë dokumentacionin që ndodhej në zyrën noteriale në momentin e rënies së zjarrit, konfirmohet se ka dëme të konsiderueshme dokumentacioni, por janë dokumentacione që mund sigurohen përsëri.
Vazhdojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për përcaktimim e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.” /abcnews.al/