Ish-kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias Albana Vokshi, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar mësuesit, infermierët, mjekët dhe ushtarakët duke mos mbajtur premtimin për rritjen e pagave për ta.
Denoncimin e nis me premtimin e pa mbajtur.
Rama më 28 Dhjetor 2017: “Nuk mund t’ju premtoj që, në fund të këtyre 4 viteve paga juaj do të jetë shumë afër times, por mund t’ju premtoj këtë gjë: që e imja nuk do të rritet, ndërsa e juaja do të rritet çdo vit”.
Gjë e përsëritur kjo sipas demokratëve të cilët kthimin e deklaratave në kujtesë nuk e ndalën.
Albana Vokshi: “Të gjithë e dinë se Edi Rama gënjeu. Vitin që shkoi as pagat e mësuesve, as të mejkëve, as të administratës, nuk u rritën asnjë qindarkë”.
Edhe ky një premtim i denjë për ditën kur pritej të hynte në fuqi, atë të gënjeshtrave.
Edi Rama, 17 Tetor 2017: “Kemi mundësinë të bëjmë një rritje duke nisur nga 1 Prilli për mjekët, infermierët, mësuesit dhe për ushtarakët”.
Albana Vokshi: “Sot jemi më 4 prill. Ne telefonin tim janë me qindra mesazhe të mësuesve, mjekëve dhe infermierëve që shprehin revoltën e tyre për mos-mbajtjen e premtimit nga Edi Rama”.
Në 6 vjet qeverisje të kryeministrit Rama, paga e mësuesve ka pësuar një rritje minimale sipas Albana Vokshit, përkundër dyfishimit që pësoi gjatë qeverisjes së demokratëve. Fill pras krahasimit, një kërkesë.
Albana Vokshi: “Paga e mësuesve duhet të rritet pa vonesë dhe jo të pritet afrimi i zgjedhjeve. Zgjidhja është e thjeshtë: qeveria të nxjerrë menjëherë një vendim me fuqi prapavepruese, në mënyre që rritja modeste të përfitohet që prej datës 1 Prill dhe asnjë ditë më vonë”.
Në të kundërt mësuesve i ofron alternativën blu, e besueshme sipas Vokshit në vizionin dhe vullnetin politik për të mbështetur financiarisht arsimin, dhënien e shpërblimeve dhe rritjen e pagave për mësuesit, investim për infrastrukturën modern, subvencionim për tarifat e studentëve dhe stazh të paguar për 10 mijë të tillë çdo vit, përfundoi në deklaratën e saj ish-deputetja demokrate Albana Vokshi./abcnews.al