Veliaj: Krenar për transformimin e kryeqytetit

schedule14:34 - 4 Prill, 2019

schedule 14:34 - 4 Prill, 2019

Meritat për transformimin e Tiranës sipas kryebashkiakut Erion Veliaj i takojnë qytetarëve. Veliaj deklaratën e beri në Xhenova ku mori pjesë në Forumin e Mjedisit të Qyteteve Evropiane.

Erion Veliaj premton se transformimi i Tiranës do të vijojë dhe katër vitet e ardhshme nëse qyetarët i besojnë një tjetër mandat në krye të bashkisë së kryeqytetit. Deklaratën, kryebashkiaku e bëri nga Xhenova në Itali, ku mori pjesë në Forumin e Mjedisit të Qyteteve Evropiane.

Tirana sipas zyrës se shtypit të bashkisë ishte përzgjedhur si model për avancimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e jetës.

“Nuk ka rëndësi çfarë bindjesh kemi, të majta ose të djathta, një gjë sot është e sigurt: me sheshin “Skënderbej”, me Pazarin e Ri, me korsitë e biçikletave, me çerdhet, kopshtet dhe shkollat e reja, Tirana është më e mirë. Nëse të gjithë bashkë, si një familje, bashkëpunojmë kështu edhe në katër vitet e tjera, sigurisht që edhe ato do të jenë një histori suksesi. Në kaq pak kohë të arrish kaq shumë dhe të vlerësohesh në të gjithë Europën është e gjithë merita e qytetarëve të Tiranës. Do të thotë se kur punojmë bashkë mund të ndryshojmë mentalitetin, mund ta lëmë histerinë mënjanë, të lëmë sherret me njëri-tjetrin dhe të fokusohemi në projekte që realisht rritin cilësinë e jetës”, tha ai.

Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Xhenovës, kryetari i Bashkisë së Tiranës mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kryebashkiakëve për objektivat e vitit 2030. Një mundësi bashkëpunimi kjo midis qyteteve për adresimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike./abcnews.al