Banka Botërore vlerëson se në Shqipëri taksat mbi pagat janë dy herë më të larta se në rajon. Norma progresive prej 23% sipas institucionit financiar ndërkombëtar është unike në Ballkanin Perëndimor.
Taksat mbi pagën në Shqipëri janë dy herë më të rënda se sa në vendet e tjera të rajonit. Vlerësimi vjen nga Banka Botërore në raportin e fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor ku institucionin monetar ndërkombetar thotë se norma progresive prej 23%, është unike në të gjithë rajonin dhe dukshëm më e lartë se sa ajo që aplikojnë vendet e tjera fqinje. Bashkë me Shqipërinë, në Ballkanin Perëndimor janë dhe dy vende të tjera, të cilat i taksojnë pagat me tatim progresiv. Ato janë Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por të dyja këto vende kanë taksa dukshëm më të ulëta se Shqipëria mbi rrogat e punonjësve. Sipas Bankës Botërore, në Maqedoninë e Veriut taksa maksimale mbi pagën është 18 për qind, ndërsa në Kosovë ajo është 10 për qind. Në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Bosnjë dhe në Malin e Zi pagat taksohen me taksën e sheshtë 10 për qind, pavarësisht nivelit të tyre. /abcnews.al