I nxehti ekstrem pritet të tkurrë ekonominë e Azisë Jugore me gati 7 për qind deri në vitin 2050 dhe tashmë i kushton rajonit ekuivalentin e afro 31 milionë vendeve të punës me kohë të plotë çdo vit, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore.
Në të njëjtën kohë, rajoni pritet të shtojë 280 milionë persona në moshë pune deri në vitin 2050 ndërsa rritja e temperaturave paraqet kërcënim serioz për punësimin, produktivitetin dhe rritjen ekonomike afatgjatë, thuhet në raport.
Rajoni i Azisë Jugore i Bankës Botërore përfshin Bangladeshin, Butanin, Indinë, Maldivet, Nepalin dhe Sri Lankën.
Raporti, i titulluar “Një e ardhme e jetueshme: Mbrojtja e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike nga i nxehti ekstrem në qytetet e Azisë Jugore”, vlerëson se deri në vitin 2070, rreth 520 milionë njerëz në të gjithë Azinë Jugore mund të përjetojnë të paktën një muaj me temperatura të rrezikshme çdo vit, katër herë më shumë se sot.
I nxehti ekstrem tashmë po ul produktivitetin e punës, po ndërpret aktivitetet e bizneseve dhe po rrezikon konkurrueshmërinë e qyteteve të Azisë Jugore ndërsa njëkohësisht po ushtron presion në rritje mbi sistemet shëndetësore dhe infrastrukturën kritike. Familjet me të ardhura të ulëta, punëtorët e sektorit informal, gratë, të moshuarit dhe fëmijët janë ndër grupet më të prekura. “Qytetet e Azisë Jugore janë thelbësore për të ardhmen e rajonit, por rritja e temperaturave rrezikon vendet e punës, jetesën dhe rritjen ekonomike”, tha zëvendëspresident i Bankës Botërore për Azinë Jugore, Johannes Zutt.
Banka Botërore rekomandon investime në infrastrukturë rezistente ndaj të nxehtit, forcimin e planeve të veprimit për valët e të nxehtit, mbrojtjen e punëtorëve më të cenueshëm, zgjerimin e sistemeve të qëndrueshme të ftohjes, përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe mobilizimin e investimeve publike dhe private për ndërtimin e qyteteve më rezistente.
Sipas raportit, qytete në mbarë Azinë Jugore tashmë po tregojnë se planet e veprimit për valët e të nxehtit, infrastruktura rezistente, gjelbërimi urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe zgjidhjet efikase të ftohjes mund të shpëtojnë jetë, të mbrojnë punëtorët dhe të ulin humbjet ekonomike.
Raporti thekson se zgjerimi i këtyre qasjeve do të kërkojë institucione më të forta, koordinim më të mirë dhe investime më të mëdha publike e private.


