A mund ta rrëzojnë ushtria dhe shërbimet sekrete Putinin nga pushteti?

schedule09:58 - 15 Prill, 2022

schedule 09:58 - 15 Prill, 2022

Foreign Affairs

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Midis shumë pikëpyetjeve rreth luftës katastrofike të Rusisë në Ukrainë, një nga pyetjet kryesore ka të bëjë me tensionet në rritje midis presidentit rus Vladimir Putin dhe shërbimeve të tij të sigurisë dhe ushtrisë.

Lufta filloi kur Putin mbajti para kamerave një takim të këshillit të sigurisë, në të cilin ai poshtëroi Sergei Naryshkin, shefin e shërbimit të inteligjencës, për entuziazmin e pakët që ai po tregonte për pushtimin.

Dy javë më vonë, ndërsa forcat ruse po përballeshin me shumë humbje dhe me një rezistencë të papritur nga ukrainasit, Putin vendosi në arrest shtëpie 2 gjeneralë të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB), dhe nisi një hetim mbi të dhënat e dobëta të shërbimit, dhe mbi keqpërdorimin e fondeve të caktuara për krijimin e grupeve pro-Kremlinit në Ukrainë, raporton abcnews.al.

Ai gjithashtu detyroi një zëvendëskomandant të Gardës Kombëtare të jepte dorëheqjen, për shkak të një hetimi penal. Në fillim të muajit prill, një nga gjeneralët e FSB që ishte në arrest shtëpie u transferua në burgun Lefortovo. Më pas ishte radha e ushtrisë.

Për gati 2 javë në muajin mars, në mesin e zërave se Putini ishte i zemëruar dhe i pakënaqur me përparimin e ngadaltë të pushtimit, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, imazhi publik i luftës dhe përgjithësisht i cilësuar si një nga ushtarakët më të besuar të Putinit, u zhduk nga skena publike. Kur më në fund u rishfaq, në disa video të postuara të një takimi të këshillit të sigurisë dhe më pas personalisht në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes, ai u duk i zymtë dhe i dobësuar.

Në fund të marsit, shërbimet sekrete amerikane sugjeruan, se Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka dhënë Putinit një panoramë të qartë rreth luftës, ndoshta nga frika e pasojave të mëtejshme.

Ndërkaq më 9 prill, Putini e riorganizoi zinxhirin e komandës ushtarake, duke emëruar gjeneralin Alexander V.Bortnikov në krye të operacioneve në Ukrainë. Në pamje të parë, këto zhvillime sugjerojnë një ndryshim mbresëlënës, raporton abcnews.al

Në vitet para luftës, siloviki, siç njihet në gjuhën ruse elita ruse e forcave të sigurisë, kishte qenë një nga qendrat kryesore të pushtetit të regjimit të Putinit.

Duke qenë vetë një ish-oficer i KGB-së, Putini është mbështetur prej kohësh tek shërbimet e sigurisë për të zbatuar politikat e tij, dhe për ta ndihmuar në ruajtjen e pushtetit. Pavarësisht se gjatë viteve të fundit siloviki-t janë lënë disi në hije nga Ministria e Mbrojtjes, Putin nuk është treguar kurrë kaq i ashpër me shërbimet e sigurisë dhe ushtrinë sa është sot.

Duke pasur parasysh goditjen gjithnjë e më të pamëshirshme të Putinit ndaj këtyre njerëzve dhe ndërgjegjësimin në rritje në Moskë se lufta ka shkuar shumë më keq nga sa pritej, disa analistë kanë dyshime se edhe për sa kohë ata do t’i tolerojnë gabimet e tij katastrofike.

Por pyetje të tilla, anashkalojnë marrëdhëniet historike midis forcave të sigurisë dhe shtetit rus, dhe mënyrën e veçantë mbi të cilën Putini ka ndërtuar themelet e pushtetit të tij. Edhe pse zhvillimet e fundit janë të rëndësishme, ato nuk sugjerojnë një përçarje të rendit ekzistues.

Edhe në mesin e tensioneve aktuale, shanset që anëtarët kryesorë të elitës së sigurisë apo ushtarake të mund të bëjnë një lëvizje kundër Putinit mbeten të pakta. Prandaj, ia vlen të merret në konsideratë pse po ndodh diçka e tillë dhe çfarë  duhet të ndodhë që të ndryshojë situata.

Për të kuptuar pse siloviki nuk kanë shumë gjasa të ngrihen kundër Putinit, duhet së pari të kuptojmë marrëdhëniet historike midis ushtrisë dhe shtetit. Historikisht, ushtria ruse nuk ka paraqitur kurrë ndonjë kërcënim të madh për sundimtarët e këtij vendi.

Në dallim nga shoqëritë e tjera shumë të militarizuara, në Rusi nuk ka pasur shumë grushte shteti të suksesshme nga ana e ushtrisë apo qoftë edhe tentativa. Hera e fundit që ushtria ruse nisi një rebelim kundër shtetit ishte në vitin 1825, kur Dekamrbistët (një lëvizje politike në atë kohë) u përpoqën ta rrëzonin Carin Nikolla I.

Revolta dështoi dhe shumica e udhëheqësve të grushtit të shtetit u vranë ose internuan. Vetë ushtria ruse nuk ka krijuar qendra alternative të pushtetit, si për shembull në formën e Oficerëve të Lirë të Egjiptit, të cilët  rrëzuan mbretin Faruk në vitin 1952, raporton abcnews.al

Dhe kjo nuk ndodhi për shkak të mungesës së përpjekjeve. Në disa raste që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, grupe veteranësh ushtarakë kanë kërkuar që të fitojnë pushtet politik, por kanë dështuar në çdo rast. Gjatë viteve 1990, para se Putin të vinte në pushtet, qeveria ruse ishte e dobët, dhe Kremlini u detyrua të ruante balancat midis grupeve konkurruese.

Ndonjëherë, kjo gjë çoi në përpjekjet e anëtarëve të ushtrisë për të fituar më shumë ndikim, apo edhe për të rrëzuar qeverinë. Në tetorin e vitit 1993, një grupim ish-veteranësh sovjetikë që e quanin veten Unioni i Oficerëve morën pjesë në një revoltë konservatore.

Por ata u arrestuan përpara se të niste rebelimi. Katër vite më vonë, gjeneral rus Lev Rokhlinu u largua me dëshirë nga ushtria dhe krijoi partinë e tij politike të quajtur Lëvizja në Mbështetje të Ushtrisë, e cila synonte të merrte nën kontroll Kremlinin. Ai fitoi shumë shpejt popullaritet, por në vitin 1998, bashkëshortja e tij e qëlloi për vdekje gjatë një konflikti familjar në vilën e tyre.

Vrasja shkaktoi teori të shumta konspirative.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka më ndonjë forcë të rëndësishme opozitare.

Kundërshtarët politikë të Putinit ose janë vrarë (si Boris Nemtsov, që u vra pranë Kremlinit në vitin 2015), ose janë futur në burg (si Alexei Navalny nga janari 2021), ose janë detyruar të mërgojnë (si thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e Navalnyt, apo edhe një numër në rritje ish-miqsh të Putinit si Vladimir Milov, ish-zëvendësministër i energjisë, Sergei Alexashenko, ish-zëvendësministër i financave, madje edhe Andrei Kozyrev, ish-Ministër i Jashtëm i Rusisë).

Edhe në ato pak raste kur anëtarët e ushtrisë e kanë sfiduar Putinin, janë ndalur shumë lehtë. Për shembull, në vitin 2005 Vladimir Kvachkov, një kolonel në pension i shërbimit sekret të ushtrisë ruse, u përpoq të vriste Anatoly Chubais, ekonomistin rus që njihej si “babai” i programit të diskutueshëm të privatizimeve gjatë viteve 1990.

Në fillim të viteve 2000, Chubais qëndroi pranë Putinit dhe kishte ende mbështetjen e tij. Grupi i Kvachkov shpërtheu një bombë në anë të rrugës dhe e goditi makinën e Chubais me armë automatike, por atentati dështoi dhe ish-koloneli u burgos. Kur u lirua, hyri sërish në poilitikë por pak më vonë u arrestua sërish nga FSB, raporton abcnews.al.

Në fakt përveç eliminimit sistematik të forcave opozitare nga Putin, ka edhe një arsye më të thellë strukturore mbi paaftësinë e ushtrisë për të sfiduar realisht Kremlinin.

Gjatë epokës sovjetike, policia sekrete e mbante ushtrinë nën vëzhgim të rreptë. Që në vitin 1918, më pak se një vit pas Revolucionit Bolshevik, CHEKA, paraardhësja e KGB-së, formoi një njësi që monitoronte kundërshtarët brenda Ushtrisë së Kuqe. Kjo vigjilencë vazhdoi nën sundimin e Stalinit dhe pasardhësve të tij. Çdo divizion kishte celula të Partisë Komuniste, dhe KGB-ja krijoi një forcë të madhe të kundërzbulimit për të spiunuar ushtrinë.

Dhe kur u shemb Bashkimi Sovjetik, KGB-ja u rindërtua kryesisht si FSB, dhe kjo e fundit ka sot të njëjtën seli qëndrore në Moskë, Lubyanka famëkeqe, dhe ndjek shumë nga të njëjtat praktika të dikurshme. Agjentët e FSB-së janë pjesë e ushtrisë ruse. Ka rregulla që përcaktojnë sesa agjentë të FSB-së duhet të caktohen për çdo njësi ushtarake dhe çdo objekt ushtarak. Në luftën në Ukrainë, roli zyrtar i FSB-së është të sigurohet që trupat ruse të mos sabotohen apo sulmohen pas shpine.

Agjentët e FSB-së janë gjithashtu përgjegjës për vendosjen e kontrollit politik mbi territoret e pushtuara, duke përfshirë qytetet dhe zonat që kanë rënë nën kontrollin rus. Me një mbikëqyrje të tillë, ushtria ruse nuk ka prodhuar kurrë oficerë të tillë që të mund të udhëheqin një revoltë efektive.

Por çfarë ndodh me vetë burrat e FSB-së? Siç ka treguar vetë regjimi i Putinit, ndryshe nga ushtria, KGB-ja ka nxjerrë një nga udhëheqësit më të fuqishëm të vendit që nga koha e Stalinit.

Prandaj është e sigurt që kërcënimi më i madh për Putinin mund të vijë nga agjencia, fuqitë e së cilës ai i ka fuqizuar vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Por FBS ka një traditë të dobët të rebelimit dhe ka qenë shumë e prirur ndaj korrupsionit. Ndërkohë ata janë të vetëdijshëm se mund të jenë subjekt i goditjeve të Putinit po aq sa kushdo tjetër.

Për shkak të mënyrës se si është strukturuar FSB-ja, oficerët priren të jenë besnikë ndaj gradës dhe pozitës së tyre, sesa ndaj oficerëve të lartë të veçantë brenda shërbimeve; nëse një gjeneral i FSB-së humbet punën e tij, ai nuk mund të mbështetet më tek ish-vartësit e  tij.

Anëtarët e FSB-së janë gjithashtu të vetëdijshëm se ata mund të jenë subjekt i sulmeve të Putinit po aq sa kushdo tjetër. Aktualisht, ka dhjetëra oficerë të FSB-së që janë burgosur me akuza për korrupsion dhe tradhti.

Megjithëse akuzat ndonjëherë janë të vërteta, shpesh duket se ka motive të tjera që përcaktojnë se kush është në shënjestër. Në shumicën e rasteve, ata që janë akuzuar janë arrestuar nga vetë departamenti i sigurisë së brendshme të FSB-së. Si rezultat i këtyre praktikave, ka kohë që ekziston një kulturë e përhapur e mosbesimit brenda FSB-së: oficerët e nivelit të mesëm nuk u besojnë gjeneralëve dhe gjeneralët nuk u besojnë vartësve të tyre.

Anëtarët e moshuar ende kujtojnë se grushti i 1991-shit i udhëhequr nga Vladimir Kryuchkov, kreu i KGB-së, dështoi për shkak se ata zgjodhën të qëndronin pranë tij dhe të prisnin në vend që të merrnin pjesë në komplotin e tij.

Gjenerata e tanishme e oficerëve të FSB-së, burra në të 30-at dhe 40-at e tyre, nuk mbajnë mend asnjë president tjetër përveç Putinit dhe kanë ndërtuar karrierën e tyre nën udhëheqjen e një drejtori, Aleksandr Bortnikov, i cili ka udhëhequr agjencinë që nga viti 2007.

Në ditët e sotme, oficerët e FSB-së i shërbejnë vetëm presidentit duke iu bindur urdhrave. Funksioni i tyre kryesor është të eliminojnë në mënyrë të pamëshirshme këdo që i kundërshton. Megjithëse Putini është mbështetur prej kohën në besimin e palëkundur të ushtrisë dhe shërbimeve të tij të sigurisë.

Por lufta në Ukrainë mund ta ndryshojë diçka të tillë. Tensionet gjithnjë e më të dukshme mes tij dhe anëtarëve të lartë të elitës së tij të sigurisë sugjerojnë se Putini mund të bëhet më paranojak se kurrë për sfidat e mundshme ndaj sundimit të tij. Nga ana tjetër, një mosmarrëveshje e tillë mund të nxjerrë në pah gjithashtu se të paktën disa anëtarë të rrethit të tij të ngushtë janë të pakënaqur me rrugën që ai ka zgjedhur.

Dhe meqenëse mënyra që ka zgjedhur Putin për të zgjidhur problemet, duke përfshirë inteligjencën dhe performancën e dobët ushtarake në Ukrainë  është duke fajësuar silovikit. Duke mos pasur asnjë përvojë politike dhe një bazë të gjerë mbështetjeje, siloviki – si shërbimet e sigurisë ashtu edhe ushtria  vështirë se janë në gjendje të organizojnë dhe udhëheqin një grusht shteti, raporton abcnews.al.

Por silovikët janë të pamëshirshëm në mbrojtjen e interesave të tyre dhe ka të paktën një mënyrë që ata mund të humbasin besimin: nëse problemet ekonomike të Rusisë arrijnë në pikën që guvernatorët e saj rajonalë fillojnë të kundërshtojnë Putinin dhe rendi ekonomik që ka mbajtur Shteti i sigurisë së Putinit për më shumë se 20 vite fillon të shembet, silovikit mund të arrijnë në përfundimin se Kremlini po humbet kontrollin e vendit dhe se e ardhmja e tyre  është në rrezik.

Në atë rast, ata mund të tërhiqen dhe ta lënë të ndodhë ose edhe të japin një dorë.

/abcnews.al