Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj Balilit

schedule14:09 - 2 Prill, 2019

schedule 14:09 - 2 Prill, 2019

Prokuroria e Krimeve të rënda nuk i relatoi as sot provat kundër Klemend Balilit. Seanca dështoi për herë të tretë për shkak të mungesës së dy avokatëve. Gjykata i vendosi 10 mijë lekë të reja gjobë Theodhori Sollakut.

Theodhori Sollaku, avokati i zgjedhur nga vet i pandehuri, ka marrë dijeni për zhvillimin e seancës së të martes, por nuk ka dorëzuar në gjykatë asnjë lloj dokumenti apo informacioni për të justifikuar mosprezencën e tij.

Ndërsa avokati i caktuar kryesisht Rremzi Ponari ka dorëzuar një deklaratë ku kërkon shtyrjen e seancës pasi për arsye shëndetësore nuk mundi të paraqitej në gjykatë.

Kelmend Balili nuk u paraqit në seancën e kësaj të marte me arsyen se nuk mundet për arsye shëndetësore. Balili i kishte kërkuar gjykatës që të përfaqësohej në këtë seancë nga avokati i tij, Sollaku.

Organi i akuzës, i përfaqësuar nga Ened Nakuçi, i kërkoi gjykatës që të pezullonte afatet e paraburgimit për të pandehurin Kelmend Balili dhe gjithashtu në bazë të ligjit të gjobiste avokatin e zgjedhur prej tij, Theodhori Sollaku.

Në përfundim, togat e zeza vendosën që të gjobisnin Theodhori Sollakun me 10.000 lekë, ndërsa Kelmend Balilit t’i pezullohen afatet e paraburgimit deri në seancën e radhës, e cila u vendos më 8 Prill, ora 13:00.

Kelmend Balili akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe “Pastrim parash”./abcnews.al